Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar Zyrat rajonale të Shërbimit Sprovues të Kosovës në Komunën e Ferizajt dhe Prizrenit, me qëllim të njohjes nga afër me punën, sfidat dhe funksionimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë.
Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla theksoi rolin e Shërbimit Sprovues të Kosovës në zbatimin e vendimeve gjyqësore në praktikë, si dhe rëndësinë e tij në mbështetjen e procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit shoqëror të personave të përfshirë në sistemin penal.
“Gjatë takimit me drejtorin e SHSK-së, z. Arsim Tahiri folëm kryesisht për çështje që lidhen me funksionimin e përditshëm, kapacitetet institucionale dhe nevojën për avancim të mëtejmë të kushteve dhe mjeteve të punës, në funksion të përmbushjes sa më efikase të mandatit ligjor të shërbimit”, tha Ministrja Gërvalla.
Tutje, Ministrja Gërvalla vlerësoi kontributin e Shërbimit Sprovues të Kosovës si pjesë funksionale e zinxhirit të drejtësisë, që kontribuon në zbatimin e ligjit dhe realizimin e politikave korrektuese në praktikë.
