Lajme

Gërvalla takon përfaqësuesen e BE-së, thekson: Sundimi i ligjit kyç për të ardhmen demokratike të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka ritheksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit si themel i zhvillimit demokratik të Kosovës, gjatë një takimi me përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në vend.

Në një njoftim publik, Gërvalla bëri të ditur se ka pritur në takim ushtruesen e detyrës së shefes së Zyrës së Bashkimi Evropian në Kosovë, Eva Palatova, me të cilën ka diskutuar për avancimin e reformave në sistemin e drejtësisë.

Sipas saj, në fokus të bisedimeve ka qenë përparimi drejt finalizimit të pakos së projektligjeve që burojnë nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, në përputhje me rekomandimet e Komisioni i Venedikut. Ky proces konsiderohet si një hap i rëndësishëm për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e reformave në kuadër të Planit të Rritjes.

Postim i plotë:

Forcimi i sundimit të ligjit mbetet themeli i zhvillimit demokratik të Republikës së Kosovës

Në këtë frymë, sot prita në takim Ushtruesen e Detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Republikën e Kosovës, znj. Eva Palatova. Gjatë këtij takimi, folëm për përparimin në finalizimin e pakos së projektligjeve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut, një proces kyç për avancimin e reformave në sistemin e drejtësisë në kuadër të Planit të Rritjes.

Biseduam gjithashtu për çështje të tjera në kuadër të Agjendës së Reformave, prioritetet tona tjera dhe Agjendën Legjislative në drejtësi.

Bashkimi Evropian mbetet një partner i rëndësishëm në këtë rrugëtim, dhe bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë në funksion të thellimit të reformave dhe forcimit të institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Të Ngjashme