Lajme

Gërvalla: Thirrje BE-së dhe ShBA-së që të kundërshtojnë hapat përshkallëzues të Vuçiqit, ndaleni para se të nisë luftën

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.

Pas bllokadave në anën serbe të pikëkalimeve kufitare nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës, Gërvalla ka thënë se shteti serb ka gisht në këtë ngjarje.

“Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë veturat me regjistrim gjerman dhe nuk po i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiqit po e mbështet këtë përshkallëzim racist, duke shikuar e duke mos vepruar asgjë”, ka shkruar ajo.

“Kosova do ta mbajë kufirin e mbyllur deri sa të garantohet lëvizja e lirë dhe shqiptarët të sigurohen nga skenat më të këqija të kriminelëve serbë të maskuar, që i ndjekin e kërcënojnë sërish. Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të kundërshtojnë me vendosmëri hapat e ardhshëm përshkallëzues të Vuçiqit. Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”.