Lajme

Gërvalla: Vëllezërit Bytyqi dëshmi e kontributit të mërgatës për çlirimin e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se vëllezërit Bytyqi të vrarë gjatë luftës në Kosovë janë dëshmia e kontributit të mërgatës për çlirimin e Kosovës.

Ajo ka thënë se tre shqiptarët e vrarë me shtetësi amerikane mbetën plagë e hapur për Kosovën dhe Amerikën, pasi përgjegjësit për vrasjen e tyre nuk janë dënuar.

“Vëllezërit Bytyqi në Nju Jork janë dëshmi e fuqishme dhe kujtesë e përhershme e kontributit të pashembullt të mërgatës sonë për çlirimin e Kosovës dhe e krimeve të pandëshkuara të Serbisë. Bashkë me Kryeministrin Kurti, nderuam sakrificën e jashtëzakonshme të vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, shtetas amerikanë dhe djem të Kosovës që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.  25 vite kanë kaluar por zbardhja e këtij krimi dhe dhënia e dënimit të merituar për përgjegjësit mbetet një plagë e hapur për Kosovën dhe Amerikën”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.