Nëse ke qëndruar gjatë në vaskë apo pishinë, me siguri ke vënë re që lëkura jote, veçanërisht te gishtat, bëhet e rrudhur apo “si kumbull e thatë”.
Kjo ndodh për shkak të ngushtimit të enëve të gjakut. Kur enët e gjakut ngushtohen, sipërfaqja e lëkurës zvogëlohet dhe formon rrudha. Edhe pse gishtat e rrudhur mund të duken të çuditshëm, ky avantazh evolucionar në të vërtetë ndihmon që të kapësh më mirë sendet nën ujë, krahasuar me duart që nuk janë rrudhur.
Por, kur gishtat rrudhen nën ujë, a formojnë ata gjithmonë të njëjtin model rrudhash? Kjo ishte pyetja që i lindi një nxënësi të ri. Dhe kjo pyetje frymëzoi një studim të ri, të botuar në Journal of the Mechanical Behavior of Biomedical Materials.
Guy German, profesor i asociuar në Universitetin e Binghamton dhe pjesë e fakultetit në Departamentin e Inxhinierisë Biomjekësore të Kolegjin Thomas J. Watson për Inxhinieri dhe Shkencë të Aplikuar, ka publikuar disa studime mbi lëkurën e njeriut, përfshirë një studim të vitit 2020 që fokusohet në atë që ndodh me lëkurën kur ajo ekspozohet për periudha të gjata në ujë.
Në një artikull të vitit 2023 për The Conversation, German iu përgjigj pyetjes së një lexuesi të ri rreth arsyes pse lëkura jonë rrudhet në ujë. Por përgjigjja ndaj asaj pyetjeje solli një tjetër.
“Një student më pyeti: ‘Po mirë, a formohen rrudhat gjithmonë në të njëjtën mënyrë?’ Dhe unë mendova: Nuk kam as idenë më të vogël!” – tha German në një deklaratë për shtyp. “Kështu që kjo çoi në këtë kërkim për të zbuluar përgjigjen.”
Për të gjetur përgjigjen, German dhe Rachel Laytin, një diplomuar në inxhinieri biomjekësore nga Universiteti i Binghamton-it, zhytën gishtat e pjesëmarrësve në ujë për 30 minuta dhe fotografuan gishtat e rrudhur. Pas 24 orësh, ata e përsëritën të njëjtin proces me të njëjtët pjesëmarrës.
Pas analizimit të fotove, ekipi i studimit zbuloi se pjesëmarrësit kishin të njëjtin model rrudhash pas çdo zhytjeje.
“Enët e gjakut nuk e ndryshojnë shumë pozicionin e tyre, ato lëvizin pak, por në raport me enët e tjera të gjakut, qëndrojnë mjaft statike,” tha German në deklaratë. “Kjo do të thotë se rrudhat duhet të formohen në të njëjtën mënyrë, dhe ne e provuam që është ashtu.”
Gjatë këtij studimi, German dhe Laytin bënë një zbulim shtesë.
“Kemi dëgjuar që rrudhat nuk formohen te personat që kanë dëmtim të nervit median në gishta,” tha German. “Një nga studentët tanë na tha: ‘Unë kam dëmtim të nervit median në gishtat e mi.’ Kështu që e testuam. Asnjë rrudhë!”
Falë këtij kërkimi të ri, jo vetëm që studenti mori përgjigje për pyetjen e tij, por tani kjo e dhënë mund të përdoret edhe për të ndihmuar në shkencën mjekoligjore. Ky përparim i ri mund t’i ndihmojë ekipet hetimore të identifikojnë më mirë gjurmët e gishtave apo trupat që kanë qëndruar gjatë nën ujë.
German e ndien këtë lidhje me mundësitë e reja që sjell ky kërkim, pasi babai i tij është një oficer policie i dalë në pension në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka hasur disa nga këto sfida mjekoligjore.
“Biometria dhe gjurmët e gishtave janë pjesë e trurit tim,” tha ai. “Gjithmonë mendoj për gjëra të tilla, sepse janë interesante.”
German është i emocionuar të vazhdojë kërkimet dhe t’u përgjigjet edhe më shumë pyetjeve të studentëve të tij.
“Ndihesh si një fëmijë në një dyqan ëmbëlsirash, sepse ka aq shumë shkencë këtu që nuk e njoh. I falënderojmë njerëzit e The Conversation dhe pyetjen e mrekullueshme që na drejtuan, sepse ajo solli një shkencë të re dhe të bukur,” përfundoi German në deklaratën për shtyp. / Popular Science – Syri.net
