“Nuk jam kandidat për president. Nëse në një rrethanë të caktuar deputetët do të ma kërkonin, do ta shqyrtoja, por nuk jam kandidat. Presidenti është institucion i rëndësishëm i vendit dhe ne do t’i vazhdojmë konsultat në AAK se si do të veprojmë. Ende s’kemi një qëndrim rreth kësaj teme… Ende s’kemi marrë një qëndrim për votën rreth presidentit ose presidentes. Do t’i shqyrtojmë këto pasi i kemi edhe disa ditë”, kështu u shpreh Ramush Haradinaj në konferencë për media pas mbledhjes së këshillit të përgjithshëm të AAK-së të enjten e kaluar.
Haradinaj i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga kryetari i AAK-së dhe këto sinjale për postin e presidentit vijnë në një kohë pak para përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Analisti Afrim Kasolli, thotë se është iluzore të pritet që në këto rrethana partitë opozitare në kundërshtim me vullnetin e pushtetit, të kenë mundësi të kenë sukses në imponimin e kandidatit të tyre për president.
“Para pak dite, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i drejtimit të partisë. Ky akt sipas tij, erdhi si pasojë e reflektimit mbi rezultatin jo te mirë zgjedhor, sidomos të atyre të jashtëzakonshme që u mbajtën me 28 dhjetor. Me këtë rast, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se gradualisht do tërhiqet edhe nga jeta partiake. Por i njëjti nuk e ka fshehur dëshirën që të jetë President i shtetit. Pozitë kjo e cila duhet të plotësohet më se largu deri me 4 mars nëse skena politike dëshiron t’i shmang zgjedhjet e reja parlamentare. Po ashtu, vete Ramush Haradinaj ka shprehur besimin se nëse i njëjti nominohet si kandidat i përbashkët i opozitës i ka gjasat serioze ta fitojë pozitën shumë lakmuar. Megjithatë, është iluzore të pritet që në këto rrethana që partitë opozitare në kundërshtim me vullnetin pushtetit, të kenë mundësi të kenë sukses në imponimin e kandidatit të tyre për President”, deklaron Kasolli.

Analisti Afrim Kasolli
Sipas tij, Kurti në kalkulimet e tij mund ta ketë Ramush Haradinajn si opsion presidencial.
“Përkundrazi, në bazë të disa kushteve të caktuara ka me shumë gjasa që Ramush Haradinaj të jetë kandidat shumë më i preferuar i partisë fituese të zgjedhjeve sesa Vjosa Osamani. Deri më tani Albin Kurti nuk ka qenë i qartë në këtë temë. Ai vetëm ka premtuar se do të bisedojë si me të parën aktuale të shtetit, ashtu edhe me partitë opozitare. Mirëpo, deri më tani nuk është vërejtur asnjë lëvizje publike në këtë drejtim. Megjithatë, nuk duhet harruar faktin se Albin Kurti pavarësisht retorikës për konsum të brendshëm që e mban, ai është i vetëdijshëm se nuk do të ketë shansa ta ketë asnjë sukses ndërkombëtar për shtetin pa i zbatuar detyrimet që i ka pranuar në procesin e negociatave me Serbinë me qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Dhe nuk ka dyshim se nyja gordiane e këtyre obligimeve mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, pas konfirmimit të fitores gati plebishitare në zgjedhjet e fundit, tashmë të gjithë reflektoret e qendrave te vendosjes janë kthyer ka ai, duke ia bërë të ditur se adresa mbetet e qartë. Në këtë kontekst, mund të jetë kalkulim i tij se me Ramush Haradinajn si President do ta ketë shumë më te lehtë ta kapërdije këtë kafshatë të hidhur politike”, shprehet analisti.
Kasolli konsideron se ka gjasa që të përputhen për mrekulli agjentat e Kurtit dhe Haradinajt.
“Ndërkohë, edhe ky i fundit, nuk është që nuk ka dhënë shenja të kompromiseve të kësaj natyre kur ka qenë në pyetje pozicioni i tij personal. Sepse të gjithëve na kujtohet se si nga njërin prej kundërshtarëve më të ashpër të Demarkacionit me Malin e Zi, u shndërrua në zbatuesin e asaj marrëveshje me t’u bërë kryeministër.
Me këtë rast, ka gjasa që edhe njëherë të përputhen për mrekulli agjendat e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinaj, sikur në vitet 2015-2017. Kuptohet me një dallim. Ngase tash për ta zbatuar atë pjesë të marrëveshjes që atëbotë e patën luftuar me të gjitha mjetet, politike e jo politike”, përfundon Kasolli.
Kujtojmë se Ramush Haradinaj, ka qenë kryeministër i Kosovo në dy periudha të ndryshme:
3 dhjetor 2004 – 8 mars 2005;
U bë kryeministër për herë të parë pas zgjedhjeve parlamentare. Dha dorëheqje pasi u ngrit aktakuzë ndaj tij nga International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia në Hagë.
9 shtator 2017 – 3 shkurt 2020;
U rikthye në post pas zgjedhjeve të vitit 2017.
Dha dorëheqje përsëri pasi u ftua për intervistim nga Kosovo Specialist Chambers si i dyshuar.
