Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur Kuvendin e saj zgjedhor për 31 janar, në orën 12:00, në një moment të ndjeshëm për partinë pas rezultateve të fundit zgjedhore.
Mbledhja e Kuvendit vjen pas ofrimit të dorëheqjes nga kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, i cili pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit deklaroi se është i gatshëm të largohet nga drejtimi i partisë, por se dorëheqja e tij duhet të aprovohet nga Kuvendi i LDK-së.
Ndërkohë, deri më tani kandidaturën për kryetar e ka shpallur vetëm Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës. Hoti kishte paralajmëruar më herët se do të japë dorëheqje nga pozitat drejtuese të partisë nëse Abdixhiku nuk largohet nga posti i kryetarit. Kësisoj, më 31 janar, ai do të kërkojë besimin e delegatëve për të marrë drejtimin e LDK-së.
Veprimtari Agim Aliçkaj, thotë se i gjithë aktiviteti i krerëve të LDK-së është përqendruar në viktimizim, shpifje, fyerje, servilizëm ndaj të huajve dhe nënshtrim ndaj kërkesave serbe.
Sipas tij, LDK-së edhe elektorati i saj tradicional po ia kthen shpinën gradualisht.
“ Ka kohë që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është larguar nga rruga e trasuar nga Presidenti legjendar Dr. Ibrahim Rugova. Ajo ka hyrë në një rrugë pa krye, pa program konkret dhe pa rregulla të qarta veprimi. Udhëheqja e saj, e kryesuar nga Lumir Abdixhiku dhe e ndikuar nga faktorë të jashtëm, është më e interesuar të ruajë pozitat me çdo kusht sesa të angazhohet në ndërtimin e shtetit si një opozitë konstruktive. Dikur ishte parti institucionale për ndërtimin e shtetit, sot është bërë parti e bojkotit dhe e rrënimit të shtetit. I gjithë aktiviteti i krerëve të LDK-së është përqendruar në viktimizim, shpifje, fyerje, servilizëm ndaj të huajve dhe nënshtrim ndaj kërkesave serbe. Nuk ka asnjë program konkret për kundërshtimin e agresionit serb, për zhvillimin dhe forcimin e shtetit. Për këtë arsye, ajo u dënua me votë nga populli i Kosovës. Madje edhe elektorati i saj tradicional po ia kthen shpinën gradualisht”, deklaron Aliçkaj.

Agim Aliçkaj
Sipas tij, sipas shenjave të deritanishme asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë në mbledhjen e 31 janarit.
“Pas humbjes së madhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e vetmja rrugë e rimëkëmbjes do të ishte kërkimfalja për gabimet e deritashme dhe paralajmërimi i ndryshimeve thelbësore brenda një afati të caktuar. Kjo nuk mund të arrihet pa dorëheqjen e plotë dhe të parevokueshme të kryetarit aktual të LDK-së dhe të kryesisë, e më pas edhe të Këshillit të Përgjithshëm. Gjithçka është e mundur, por sipas shenjave të deritashme, asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë në mbledhjen e 31 janarit. Kryetari Abdixhiku ka dhënë një dorëheqje formale, me shpresë, lutje dhe aktivitete lobuese në prapavijë që ajo të mos miratohet. Asgjë nuk zgjidhet me dorëheqjen e vetme të znj. Hykmete Bajrami apo të ndonjë tjetri. E ashtuquajtura “rrugë e re” e proklamuar nga Lumir Abdixhiku është një rrugë e dështuar. Të gjithë duhet të japin dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të reja për të sjellë ndryshime pozitive”, shprehet veprimtari.
Për të pasur ndryshime të sigurta dhe një rikthim të fuqishëm të LDK-së, sipas Aliçkajt, duhen kuadro krejtësisht të reja që nuk janë pjesë e gabimeve të deritashme.
“Gjasat që z. Avdullah Hoti të zgjidhet kryetar i LDK-së janë të vogla. Edhe sikur të zgjidhej, ai nuk do të përfaqësonte ndonjë ndryshim të madh për të ecur përpara. Deklarata e tij se nuk do ta votonte Presidenten Osmani tregon se ai është i shkëputur nga realiteti dhe ende i kapluar nga xhelozia dhe inati personal. Bllokimi i krijimit të institucioneve dhe refuzimi i disa ofertave të Kryeministrit Kurti për koalicion i dhanë goditjen e fundit LDK-së. Vazhdimi i bllokadave dhe mohimi i pjesëmarrjes së mirëfilltë në jetën demokratike mund ta zhdukë atë fare nga jeta politike. Për të pasur ndryshime të sigurta dhe një rikthim të fuqishëm të LDK-së në jetën politike, duhen kuadro krejtësisht të reja që nuk janë pjesë e gabimeve të deritashme. Njëri prej tyre është Xhafer Tahiri, por ka edhe të tjerë të cilëve krerët aktualë të LDK-së nuk ua lejojnë ngritjen”, thekson Aliçkaj.
Ai shton se mund të ndodhin mrekulli në mbledhjen e 31 janarit, por mund të bëhen vetëm ndryshime kozmetike me fraza dhe premtime boshe.
“Duhet shpresuar se një ditë, ndoshta edhe më 31 janar, mund të ndodhin mrekulli. Sipas të gjitha gjasave, pas fajësimit edhe të të tjerëve për humbjen, do të bëhen vetëm ndryshime kozmetike, me fraza dhe premtime boshe për kthim në rrugën e Presidentit Rugova. Fatkeqësisht, ata ose e kanë harruar plotësisht atë rrugë, ose nuk kanë aftësinë, mençurinë dhe dinjitetin për ta vazhduar. Për rikujtim, z. Rugova kurrë nuk është marrë me sharje dhe fyerje të kundërshtarëve politikë, as nuk ua ka kthyer në të njëjtën mënyrë atyre që e sulmonin vazhdimisht. Ai nuk iu nënshtrua presioneve të padrejta ndërkombëtare dhe nuk bëri kompromise me integritetin territorial të Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova kurrë nuk e lëshoi nga dora flamurin e Dardanisë”, përfundon veprimtari.
Kujtojmë, se pas rezultatit zhgënjyes zgjedhor, dorëheqje nga funksionet drejtuese ka dhënë edhe deputetja Hykmete Bajrami, e cila njëkohësisht ka kërkuar edhe largimin e Abdixhikut nga pozita e kryetarit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LDK shënoi rënien më të madhe elektorale, duke u renditur si forca e tretë parlamentare, me rreth 13 për qind të votave.
