Lajme

Gjatë vitit u dëbuan 24 gra që lidhen me dukurinë e njohur si “Eskorta”

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 nga Kosova janë dëbuar 26 gra shtetase të huaja me rastet që kanë të bëjnë me trafik të qenieve njerëzore që lidhen me dukurinë e njohur si “Escorta”.

Sa i përket rasteve “marrje me prostitucion”, gjatë vitit janë trajtuar 22 raste.

Hetimet në operacionin “Eskorta” janë drejtuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNj). Hetuesit, sipas njoftimit, kanë monitoruar faqe të internetit, rrjete sociale e kanë kryer mbledhje të fakteve e provave nga tereni.

“Gjatë trajtimit të këtyre rasteve, hetuesit policorë kanë identifikuar 50 persona të dyshuar (26femra dhe 24 meshkuj). Kurse, sa i përket shtetësisë, personat e dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari janë: 12 femra shtetase të Kolumbisë, 10 femra shtetase të Venezuelës, 2 femra shtetase të Perusë, 1 femër shtetase e Turqisë, 1 femër shtetase e Ukrainës dhe 24 meshkuj shtetas kosovarë”, thuhet në komunikatë.

Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë referuar Gjykatave Themelore (Departamenti për Kundërvajtje), ku personat e përfshirë (femra dhe meshkuj) janë dënuar nga gjykatat me gjoba në të holla, ndërsa shtetaseve të huaja nga gjykata u është lëshuar masa plotësuese Urdhër-Dëbim nga territori i Republikës së Kosovës dhe ndalesa e hyrjes prej 3 vite në vendin tonë. /teve1.info/