BBV

Gjendet i vdekur në burg bosi turk i kriptomonedhave, Faruk Fatih Ozer

Faruk Fatih Ozer, i njohur si bosi turk i kriptomonedhave dhe themelues i platformës “Thodex”, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë në Tekirdag, Turqi.

Sipas mediave turke, 30-vjeçari u gjet i varur me çarçaf në banjën e qelisë gjatë kontrolleve të mëngjesit. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, ai nuk mundi të shpëtohej.

Ozer, i cili merrte mbështetje psikologjike në burg, ishte arratisur nga Turqia në vitin 2021 dhe u arrestua në Shqipëri në gusht të vitit 2022, ku jetonte në zonën e “5 Majit” në Elbasan. Pas ekstradimit në prill 2023, ai u dënua me 11 vite e 6 muaj burg për mashtrim të kualifikuar, pastrim parash dhe krijim organizate kriminale.

Më vonë, gjykata rrëzoi akuzën për “organizatë kriminale”, por ai mbeti në paraburgim për akuzat e tjera.

Trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa prokuroria e Tekirdagut ka nisur një hetim për vdekjen.

Faruk Fatih Ozer akuzohej për mashtrimin e rreth 400 mijë personave përmes platformës “Thodex”, e cila u mbyll papritur në vitin 2021, duke shkaktuar një nga skandalet më të mëdha financiare në historinë e Turqisë.

/tiranapost

Të Ngjashme