Nisma për themelimin e një formacioni, respektivisht institucioni të ri të sigurisë – Xhandarmërisë – duhet parë në dy rrafshe: rrafshi ndërkombëtar në të cilën ambienti i sigurisë çdo herë e më kompleks kërkon ridizajnim të arkitekturës së sigurisë e jo vetëm, si dhe rrafshi nacional, në këtë rast konteksti në Kosovë, i cili kërkon një rikonfigurim institucional për tu përballur me kërcënime e rreziqe që i kanosen vendit tonë.
Formimi i Xhandarmërisë, sado në fazë fillestare, do të kryente detyra të specializuara të cilat nuk mbulohen apo mbulohen disi nga policia. Fakti se ajo është nismë e Ministrisë së Brendshme i jep asaj atribut që të merret me detyra të veçanta sikurse ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e kufirit, vendosjen e rendit, ruajtjen e infrastrukturës kritike etj.
Sado që institucioni si i tillë pritet të themelohet nga zeroja (ligji i ri dhe procedura të tjera), xhandarmëria lehtësisht do të mund të krijonte bërthamën organizative nga transferimet grupore e individuale sidomos nga policia e jo vetëm. Ajo do të duhej gradualisht të merrte detyra të ruajtjes së kufirit dhe të sinkronizohej sidomos me njësitet e KFOR-it për të kryer patrollime të përbashkëta përgjatë kufirit me Serbinë deri sa të kalonin komplet këto kompetenca tek autoriteti ynë, në këtë rast Xhandarmëria.
Në parim, nisma e tillë duhet përshëndetur. Megjithatë operacionalizimi i saj, sidomos në aspektin teknik, infrastrukturor e kadrovik nuk do të jetë i lehtë dhe don angazhim të gjithanshëm. Shiko më pak
Gjeneral Ramadan Çehaja: A duhet të themelohet Xhandarmëria?
