Shëndetësi

Gjenerata që hëngri ‘pak’ por po përballet me varësi të rëndë ndaj fast food-it

Një studim i ri nga Universiteti i Miçiganit ka zbuluar se banorët e vendeve të zhvilluara, të lindur ndërmjet viteve 1960 dhe 1975, po shfaqin gjithnjë e më shumë shenja të varësisë ndaj ushqimeve shumë të përpunuara. Sipas studiuesve, ky është brezi i parë që është ekspozuar ndaj një diete të tillë që në fëmijëri.

Pasi analizuan rreth 2,000 persona të moshës 50–80 vjeç, shkencëtarët arritën në përfundimin se 21% e grave dhe 10% e burrave në këtë grup “plotësojnë kriteret për varësi ndaj ushqimeve shumë të përpunuara”.

“Kjo varësi duket se është më e përhapur tek të rriturit më të moshuar në SHBA, veçanërisht tek gratë që kanë qenë adoleshente ose në moshën e rritur të hershme kur cilësia ushqyese e ushqimit amerikan filloi të përkeqësohej,” – thuhet në studimin e botuar në revistën Addiction.

Sipas autores së studimit, Lucy Loch, “të rriturit e sotëm ishin në një fazë vendimtare zhvillimi kur rrethanat dietike të kombit tonë ndryshuan”.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se në mesin e personave të moshës 65–80 vjeç, vetëm 12% e grave dhe 4% e burrave përmbushin kriteret për varësi të tillë, duke sugjeruar se ndikimi është më i fortë tek brezat e ekspozuar që herët ndaj ushqimeve të përpunuara.

Shkencëtarët pyetën pjesëmarrësit për 13 përvoja që lidhen me konsumin e ushqimeve dhe pijeve shumë të përpunuara – përfshirë dëshirën e fortë për to, vështirësinë për t’i eliminuar nga dieta, simptomat e mungesës, dhe shmangien e ngjarjeve shoqërore nga frika se të tjerët do t’i gjykonin për zakonet e tyre të ngrënies.

“Studime të tjera kanë treguar lidhje të qarta midis konsumit të ushqimeve të përpunuara dhe rrezikut të sëmundjeve kronike apo vdekjes së parakohshme, ndaj është e rëndësishme të kuptohet më mirë kjo varësi në grupmosha të ndryshme,” – shtoi Loch.

Ekipi i hulumtimit thekson se një ndër faktorët kryesorë pas kësaj varësie, sidomos tek gratë e moshuara, mund të jetë fushata agresive reklamuese e viteve 1980, e cila promovonte të ashtuquajturat “produkte diete” – shumë prej të cilave ishin, në fakt, produkte të përpunuara me përmbajtje të lartë karbohidratesh.

“Biskotat me pak yndyrë, vaktet e gatshme për mikrovalë dhe produktet e tjera të ngjashme janë promovuar si zgjidhje për menaxhimin e peshës, por përbërja e tyre artificiale mund të ketë forcuar sjelljet e ngrënies që shkaktojnë varësi,” – përfundoi ekipi i studiuesve.

Të Ngjashme