
2
Gjergj Dedaj ka njoftuar se ka pasur një kontakt me Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë të pafajshëm dhe duhet të kthehen në shtëpi, shkruan Gazeta Sinjali.
Në postimin e tij, Dedaj ka ndarë detaje nga biseda telefonike me zyrtarët për sigurinë e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale dhe ka ngritur shqetësime për keqëpërdorimin dhe keqinterpretimin e deklaratave të tij, të dhëna para Trupit Gjykues në Hagë në nëntor të vitit 2023. Ai ka theksuar se disa media, gazetarë dhe individë janë duke përdorur qëllimisht dhe në mënyrë të paautorizuar fjalët e tij për të nxitur urrejtje dhe kërcënime.
Në mesazhin e tij, Dedaj ka ritheksuar se UÇK-ja ka bërë luftë të pastër vetëmbrojtëse dhe çlirimtare, ndërsa ka akuzuar forcat serbe për krime dhe gjenocid, duke përmendur dhe krimet ndaj familjes së tij.
Dedaj gjithashtu sqaroi se gjatë kohës që ka dëshmuar në Hagë, ai ka shprehur qëndrimin e tij se krerët e UÇK-së janë të pafajshëm dhe duhet të kthehen në shtëpi, duke i bërë thirrje institucioneve të sigurisë të ndërmarrin masat e nevojshme për t’i mbrojtur ata.