Kuriozitete

Gjermania kthen në Greqi një pjesë kolone të vjedhur nga Olimpia pas më shumë se 50 vitesh

Një shtetase gjermane ka dorëzuar në Greqi pjesën e sipërme të një kolone që e kishte vjedhur nga një vend arkeologjik në Olimpia mbi pesë dekada më parë, njoftoi sot Ministria Greke e Kulturës.

Maja e kolonës prej guri gëlqeror, 24 centimetra e lartë dhe 33.5 centimetra e gjerë, ishte marrë nga Leonidaion, një shtëpi mysafirësh e shekullit të IV para Krishtit. Artefakti është i treti që kthehet në Greqi në vitet e fundit nga Universiteti i Münsterit në Gjermani, i cili e dorëzoi zyrtarisht dje.

Sipas ministrisë, gruaja vendosi ta kthente pjesën e kolonës pasi u frymëzua nga kthimi i disa objekteve të tjera të rëndësishme antike nga universiteti gjerman në vendin e tyre të origjinës. “E motivuar nga këto veprime, ajo i dorëzoi objektin universitetit, i cili mori përsipër ta rikthente në Olimpian e Lashtë,” theksoi ministria, duke vlerësuar ndjeshmërinë dhe guximin e saj.

Në vitin 2019, Universiteti i Münsterit kishte kthyer një gotë vere që i përkiste kampionit të Lojërave Olimpike të vitit 1896 në Athinë, ndërsa një vit më parë kishte dorëzuar një kokë mermeri të epokës romake nga një varrezë në Selanik.

Zyrtari i ministrisë greke të kulturës, Giorgos Didaskalou, deklaroi se ky gjest “vërteton se kultura dhe historia nuk njohin kufij, por kërkojnë bashkëpunim, përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë”.

Athina vijon përpjekjet për kthimin e shumë antikiteteve pa ndërmarrë procedura gjyqësore, ndërsa qëllimi kryesor mbetet rikthimi i frizit të Partenonit, i cili ndodhet në Muzeun Britanik që nga shekulli i 19-të.

Të Ngjashme