Berat Gjimshiti po shkon drejt qëndrimit tek Atalanta. Mbrojtësi shqiptar ka marrë një ofertë të madhe financiare nga Al Rayyan, skuadër e Katarit, e cila ditët e fundit dukej pranë arritjes së marrëveshjes.
Në vend të kësaj, Gjimshiti preferon të qëndrojë në Bergamo, duke luajtur Superkupën e Evropës kundër Real Madridit dhe marrë pjesë në Ligën e Kampionëve. Pasi ngriti në qiell “Europa League”, si kapiten, mbrojtësi ynë kuqezi dëshiron një sezon tjetër me bergamaskët.
Ai kishte marrë një ofertë shumë të rëndësishme nga Katari, siç e kemi raportuar javët e fundit. “Gazzetta dello Sport” bën një pasqyrë të së ardhmes së qendërmbrojtësit shqiptar si vijon: “Tundimi ka qenë aty, aq i fortë sa ende nuk është shmangur plotësisht mundësia e lamtumirës së Berat Gjimshiti me Atalantën.
Sidoqoftë, me kalimin e ditëve shtohet përshtypja se shqiptari, duke mos menduar në momentin e fundit, vendosi të qëndrojë në Bergamo. Pra, ka refuzuar superofertën e Al Rayyan të Dohas: një kontratë 3-vjeçare, që do ta çonte atë të fitonte të paktën dyfishin e shumës që merr te Atalanta”.
Negociatat konkrete mes dy klubeve vareshin nga “po”-ja e tij dhe Atalanta vështirë se do ta linte një nga kapitenët e saj të ikte për më pak se 15 milionë euro. Dilemave duket se iu ka dhënë fund vetë shqiptari, i cili ka preferuar prestigjin futbollistik, duke qëndruar te bergamaskët, para milionave që i kishte të sigurta në Katar.