Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka thënë se testi i arritshmërisë për nxënësit duhet të hiqet krejt.
Sipas tij ky test është duke dështuar dhe po i streson nxënësit dhe prindërit e tyre.
Reagimi i tij vije pasi publikimit të rezultateve për kalueshmërinë e këtij testi i cili për këtë vit është 48.35%.
“Testi i arritshmërisë është supozuar të jetë test i sistemit, jo i nxënësve. Pra, të përgjigjet në pyetjen, çfarë kualiteti nxjerrë sistemi i arsimit e jo t’i testojë nxënësit veç e veç. Testi është duke dështuar tash e sa vite sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë e nuk kopjojnë derisa, në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar përmbylljen e procesit të përpunimit të rezultateve të testit të arritshmërisë 2026, në të cilin kanë marrë pjesë gjithsej 21 mijë e 982 nxënës në nivel vendi.
Sipas të dhënave zyrtare të MASHT-it, arritshmëria mesatare e përgjithshme në nivel vendi është 48.35%.
Nga analiza sipas lëndëve, rezultatet më të larta janë shënuar në gjuhën angleze me 65.97%, histori me 62.23% dhe gjuhën shqipe me 54.63%.
Në anën tjetër, rezultatet më të ulëta janë regjistruar në kimi me 37.68% dhe matematikë me 37.93%, të ndjekura nga biologjia me 40.83%, fizika me 45.33%, informatika me 47.87% dhe gjeografia me 47.84%.
