Lajme

GJKKO caktoi ‘arrest shtëpie’, Vlora Hyseni nuk ndodhet në Shqipëri

Masa e sigurisë e vendosur ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, nuk është ekzekutuar ende, pasi ajo nuk ndodhet aktualisht në Shqipëri.

Sipas informacioneve të publikuara, Hyseni ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, ku po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare që ka mbledhur drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës.

Zhvillimet vijnë në kuadër të një operacioni të gjerë të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili nisi mëngjesin e së hënës me kontrolle në disa banesa në Tiranë.

Agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e Hysenit, por drejtuesja e SHISH nuk ndodhej aty për shkak të udhëtimit jashtë vendit.

Veprimet hetimore janë shtrirë edhe ndaj ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në banesën e të cilit gjithashtu është ushtruar kontroll. Në fokus kanë qenë edhe persona të tjerë, përfshirë ish-zyrtarë.

Sipas raportimeve mediatike, hetimi lidhet me dosjen e AKSHI-t dhe me materiale të administruara gjatë hetimeve ndaj Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut. Në pajisjet e sekuestruara prej tyre dyshohet se janë konstatuar komunikime që kanë çuar hetuesit drejt personave të tjerë.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa pritet të përcaktohet edhe mënyra se si do të procedohet me ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj Hysenit pas kthimit të saj në Shqipëri.

Të Ngjashme