Fotomontazh: Redi Molla
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e Redi Mollës, për heqjen e sekuestros për telefonin e bashkëshortes, masë e caktuar në kuadër të dosjes “5D”. Telefoni do të mbahet me qëllm gjetjen e provave të mundshme, bashkë me pajisjet dhe sendet e tjera të sekuestruara.
Redi Molla është ish drejtori i Bashkisë së Tiranës, i cili akuzohet se është një prej pronarëve të vërtetë të shoqërisë tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, dhe ka fituar disa tendera në vlerë miliarda lekë. Për dosjen e “5D” gjykata firmosi 9 masa sigurie, 3 arrest me burg, gjashtë të tjera ‘detyrim për paraqitje’.
Konkretisht është dhënë masa “Arrest me burg” për shtetasit Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha (qëndron në qeli edhe për inceneratorin e Tiranës), si dhe masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” për shtetasit Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zëre dhe Deborah Keçi.