Gratë e moshuara që ndihen të përgjumura gjatë ditës janë në rrezik të dyfishtë për demencë, paralajmëron një studim i ri. Gratë në të 80-at e tyre që përjetojnë përgjumje në rritje gjatë ditës për një periudhë pesëvjeçare janë në rrezik të dyfishtë për të zhvilluar këtë gjendje dobësuese. Ekipi amerikan i kërkimit thotë se studimi i tyre, i publikuar nga revista Neurology, nuk vërteton se përgjumja gjatë ditës shkakton demencë, por tregon një lidhje mes saj.
Autorja e studimit, dr. Yue Leng, nga Universiteti i Kalifornisë, San Francisko, tha: “Gjumi është thelbësor për shëndetin njohës, pasi i lejon trurit të pushojë dhe të rigjenerohet, duke përmirësuar aftësinë tonë për të menduar qartë dhe për të mbajtur mend informacionin. Megjithatë, dihet shumë pak për mënyrën se si ndryshimet në gjumë dhe njohje lidhen me kalimin e kohës dhe si këto ndryshime lidhen me rrezikun e demencës në dekadat e mëvonshme të jetës.
Studimi ynë zbuloi se problemet me gjumin mund të jenë të ndërthurura me plakjen konjitive dhe mund të shërbejnë si një tregues i hershëm ose faktor rreziku për demencën tek gratë në të 80-at.”
Studimi përfshiu 733 pjesëmarrëse femra me një moshë mesatare prej 83 vjeç, të cilat nuk kishin probleme të lehta njohëse ose demencë në fillim. Gjatë periudhës pesëvjeçare të studimit, 164 pjesëmarrëse (22%) zhvilluan probleme të lehta njohëse dhe 93 pjesëmarrëse (13%) zhvilluan demencë. Pjesëmarrëset mbanin pajisje në kyçin e dorës për të monitoruar gjumin dhe modelet e ritmit të tyre biologjik për tri ditë në fillim dhe në fund të studimit. Ekipi i kërkimit analizoi ndryshimet në kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit gjatë natës, dremitjen gjatë ditës dhe modelet e ritmit biologjik.
Pas pesë vitesh, studiuesit vunë re ndryshime të mëdha në modelet e gjumit tek më shumë se gjysma e pjesëmarrëseve (56%). Studiuesit zbuluan se pjesëmarrëset u ndanë në tre grupe: Gjumi i qëndrueshëm ose përmirësime të vogla në gjumë (44%) Rënie e gjumit gjatë natës (35%) – përfshinte reduktim të cilësisë dhe kohëzgjatjes së gjumit, rritje të moderuar të dremitjes gjatë ditës dhe përkeqësim të ritmeve biologjike. Rritje e përgjumjes (21%) – përfshinte shtim të kohëzgjatjes dhe cilësisë së gjumit gjatë ditës dhe natës, së bashku me përkeqësim të ritmeve biologjike.
Studiuesit më pas analizuan sesi këto ndryshime ishin të lidhura me rrezikun e zhvillimit të demencës.
Nga ato në grupin me gjumë të qëndrueshëm, 8% zhvilluan demencë. Në grupin me rënie të gjumit gjatë natës, 15% zhvilluan demencë. Në grupin me rritje të përgjumjes, 19% zhvilluan demencë. Pasi u përshtatën të dhënat sipas moshës, edukimit, racës dhe faktorëve shëndetësorë, si diabeti dhe tensioni i lartë, studiuesit zbuluan se pjesëmarrëset në grupin me rritje të përgjumjes kishin dyfishin e rrezikut për të zhvilluar demencë krahasuar me ato në grupin me gjumë të qëndrueshëm.
Nuk u gjet asnjë lidhje në grupin me rënie të gjumit gjatë natës. Dr. Leng tha: “Ne vëzhguam se gjumi, dremitja dhe ritmet biologjike mund të ndryshojnë ndjeshëm brenda vetëm pesë viteve për gratë në të 80-at.” Ajo shtoi: “Kjo nënvizon nevojën që studimet e ardhshme të shqyrtojnë të gjitha aspektet e modeleve të përditshme të gjumit për të kuptuar më mirë sesi ndryshimet në këto modele me kalimin e kohës mund të lidhen me rrezikun e demencës.” / Jerusalem Post – Syri.net
