Lajme

Gjykata e Fierit dënon me burg të dashurën e Nuredin Dumanit, Mirjete Hajdinaj

Gjykata e Fierit ka dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim Mirjete Hajdinaj, të dashurën e Nuredin Dumanit, e cila në muajin Mars 2022 u arrestua nga policia në Fier, së bashku me Dumanin dhe Henrik Hoxhën.

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, shtetasja nga Gjilani i Kosovës, Hajdinaj, është dënuar përfundimisht me 10 muaj burgim.

Por ky dënim me burg është pezulluar duke bërë që gjykata të vendosë vuajtjen e dënimit në shërbim prove për një periudhë 20 mujore, duke detyruar të dënuarën të mbajë kontakte me shërbimin e provës në Kukës dhe gjatë kësaj kohe të mos kryejë asnjë vepër penale.

Hajdinaj është deklaruar fajtore për njërën nga dy akuzat e ngritura nga prokurori Genci Mane, atë të “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit dhe municioneve”. Kurse për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit” çështja është pushuar.

Vendimi për dënimin e Mirjete Hajdinaj është marrë pak ditë më parë nga gjyqtarja e Fierit Ersida Bejgora, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorit Genci Mane, duke deklaruar fajtore dhe dënuar fillimisht me 1 vit e 3 muaj burgim të shtetases kosovare Hajdinaj, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit dhe municionit”.

Gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit rezultoi se Mirjete Hajdinaj, është personi që ka marrë nga Nuredin Dumani një automatik kallashnikov dhe e ka fshehur poshtë krevatit, në banesën ku qëndronin në Fier, Nuredin Dumani, Henrin Hoxhaj dhe Mirjete Hajdinaj.

Ky automatik që shihni në foto është arma që më pas është sekuestruar dhe nga policia, armë cila u bë shkak për dënimin e Mirjete Hajdinaj nga gjykata e Fierit.

Mirjete Hajdinaj, kohët e fundit u kthye në qendër të vëmendjes për shkak të konfliktit që pati me dy motrat Nikolli nga Lezha, të cilat hodhën një seri akuzash në aplikacionin Tik-Tok kundër Nuredin Dumanit dhe të dashurës së tij, Mirjete Hajdinaj.

Ndërkohë në gjykatën e Fierit janë në proces gjykimi katër mjekët që vizituan dhe mjekuan në shtëpi Nuredin Dumanin, kur ishte i plagosur.

Mjeku kirurg, Julian Malaj, infermieri Uljan Kapllanaj dhe dy teknikët e laboratorit, Bledar Bërdalli dhe Ermal Gjeçi, akuzohen për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi shkuan në banesën e të plagosurit dhe i dhanë ndihmën e parë.

Pasi ishin larguar nga banesa, asnjë prej tyre nuk e njoftoi Policinë, për personin që kishin kuruar.