Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, të cilëve iu gjetën rreth 1 milion euro të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni.
Kjo shumë parash është zbuluar nga doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës në një furgon që po hynte nga Serbia në Kosovë përmes pikës kufitare në Merdarë më 24.02.2026.
Të dyshuarit në këtë rast janë Aurel Kaziu, pjesëtar i Policisë së Shqipërisë, dhe Ardit Laska dhe Edmir Ahmaxhokaj.
Gjykata ka vendosur që ata të lirohen menjëherë dhe të mbrohen në liri.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 25.02.2026 kishte paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.
Pas pranimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale, Gjykata kishte mbajtur më 26.02.2026 seancën dëgjimore në rastin e tre të dyshuarve.
Gjykata pas mbajtjes së seancës dëgjimore, më 27.02.2026 mori vendim duke refuzuar kërkesën e PSRK-së për caktimin e masës së paraburgimit me arsyetimin se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se ekziston dyshimi i bazuar se të tre të dyshuarit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.
Në vendim të Gjykatës thuhet se në kërkesën e PSRK-së, në përmbajtjen e saj, vetëm në një fjali të shkurtër përmendet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, mirëpo në kërkesë nuk është përmendur ndonjë provë sado sipërfaqësore në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin e saj se ekziston dyshimi i bazuar.
Më tej në vendim të Gjykatës thuhet se kërkesës së PSRK-së nuk i janë bashkangjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, siç mund të jenë procesverbali i kontrollit të automjetit dhe vërtetimi për konfiskim të mjeteve monetare, prova të cilat e vërtetojnë aspektin objektiv të kësaj vepre penale.
Në vendim thuhet se kërkesës së PSRK-së nuk i është bashkangjitur e as përmendur çfarëdo prove që mbështet dyshimin apo jep indikacione sado te vogla për përmbushjen e dyshimit të bazuar sa i përket elementit subjektiv të veprës penale për të cilën të pandehurit dyshohen.
Në vendim me tej thuhet se kërkesës për caktimin e paraburgimit i janë bashkëngjitur kallëzimi penal i përpiluar nga Dogana e Kosovës, dhe i cili në përmbajtjen e tij nuk ka referencë në ndonjë provë.
Më tej Gjykata bën të ditur se kërkesës së PSRK-së gjithashtu i është bashkëngjitur një raport nga Dogana e Kosovës, i cili po ashtu as nuk ka të bashkëngjitur e as të përmendur ndonjë provë, por vetëm përshkruan se si ka ndodhur ngjarja.
“Janë bashkëngjitur deklaratat e të dyshuarve të dhëna para hetuesve doganorë, në të cilat deklarata e mohon në tërësi veprën penale dhe mohon të kenë pasur njohuri për paratë që janë gjetur ne automjetin e tyre, si dhe janë bashkëngjitur disa fotografi të mjeteve monetare në qese najloni, pa ndonjë listë të specifikuar të numrave serikë të kartëmonedhave” – thuhet në vendim të Gjykatës.
Në dosje të Gjykatës thuhet se Prokuroria nuk është thirrur fare në këto prova gjatë paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, mirëpo Gjykata i ka vlerësuar të njëjtat dhe ka ardhur në përfundim se këto prova nuk mund të shërbejnë si bazë për mbështetjen e dyshimit të bazuar, pasi që dy provat e para, kallëzimi penal dhe raporti i Doganës, e kanë cilësinë e akteve akuzuese iniciuese të çështjes.
“Pra aty paraqiten pretendimet për vepër penale, mirëpo nuk mund të shërbejnë si provë e as t’u falet besimi verbërisht, pa ndonjë mbështetje me prova” – thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë nuk është e mbështetur në asnjë provë që vërteton dyshimin e bazuar.
“Duke u gjendur në këtë situatë, gjykata është detyruar të zbatojë nenin 163 par. 3 të KPPRK-se ku thuhet: “Nëse prokurori i shtetit në kërkesën për caktimin e paraburgimit nuk arrin të vërtetojë dyshimin e bazuar se personi i arrestuar ka kryer veprën e dyshuar penale, gjyqtari i procedurës paraprake e liron të pandehurin”, pra kjo dispozitë ligjore nuk lejon mundësi tjetër, as caktimin e ndonjë mase më të butë, por në mënyrë decidive kërkon lirimin e të pandehurit” – thuhet në vendim.
