Një gjykatë në qytetin Zwolle ka vendosur së fundmi anulimin e një martese të celebruar më 19 prill 2025, pasi fjalimi i përdorur gjatë ceremonisë – i gjeneruar me ndihmën e inteligjencës artificiale ChatGPT – nuk përmbushi kërkesat ligjore të Kodit Civil holandez.
Si pasojë e këtij vendimi, martesa e dy shtetasve holandezë u hoq nga Regjistri i Martesave, raporton Reuters.
“Gjykata e kupton se data e shënuar në certifikatën e martesës ka rëndësi emocionale për një burrë dhe një grua, por nuk mund të anashkalojë atë që përcakton ligji”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Sipas gjyqtarit, gjatë ceremonisë çifti nuk dha betimin e kërkuar ligjërisht për të përmbushur detyrimet martesore. Neni 1:67, paragrafi 1, i Kodit Civil të Holandës përcakton se bashkëshortët e ardhshëm duhet të shprehin qartë pëlqimin e tyre për martesën, duke deklaruar para regjistruesit dhe dëshmitarëve se e pranojnë njëri-tjetrin si burrë e grua dhe se do të përmbushin me ndërgjegje të gjitha detyrimet që ligji u ngarkon.
Çifti nga Zwolle kishte zgjedhur një ceremoni më informale dhe i kërkoi një miku të drejtonte martesën. Ky i fundit përdori ChatGPT për të hartuar premtime më personale, raporton Gulf News. Megjithatë, fjalimi i gjeneruar nuk përfshinte një deklaratë të qartë për përmbushjen e detyrimeve ligjore të martesës.
Sipas betimeve të cituara në vendimin e gjykatës, zyrtari e pyeti çiftin nëse do të “vazhdonin të mbështesnin, ngacmonin dhe përqafonin njëri-tjetrin, edhe kur jeta bëhet e vështirë”, duke i quajtur ata “një çift i çmendur”, por pa i shpallur burrë e grua.
Edhe pse çifti kërkoi që gjykata të njihte datën origjinale të dasmës si të vlefshme ligjërisht, duke argumentuar se synimi i tyre kishte qenë martesa e plotë dhe se data kishte rëndësi emocionale, gjykata refuzoi kërkesën.
Në përfundim, u vendos se betimet e dhëna nuk i plotësonin kriteret ligjore për një betim martesor të vlefshëm, duke e bërë martesën juridikisht të pavlefshme.
