ShowBizzz

​Gjykata vendos në favor të Adidas në lidhje me padinë për bashkëpunimin me Kanye West

Adidas ka arritur të zmbrapsë një ankesë nga aksionarët, të cilët e akuzonin kompaninë se kishte fshehur sjelljen e papërshtatshme të këngëtarit dhe sipërmarrësit Kanye West para se të prishej bashkëpunimi i tyre në vitin 2022.

Një gjykatë në San Francisko ka vendosur se gjiganti gjerman i veshmbathjes sportive nuk i ka mashtruar investitorët, të cilët kishin pretenduar se kishin humbur para pasi aksionet e Adidas ranë ndjeshëm në vlerë kur kompania ndërpreu marrëdhëniet me West, raporton kp.

Bashkëpunimi për markën Yeezy ishte një nga projektet më të suksesshme për Adidas, por u ndërpre pas një serie deklaratash antisemite të këngëtarit, të cilat i kushtuan kompanisë qindra-miliona euro.

BBC ka tentuar të kontaktojë Adidas për deklaratë, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga kompania që përfaqësonte padinë kolektive apo nga ekipi i West. Këngëtari, i cili nuk ishte palë direkte në padi, u kritikua gjerësisht pasi bëri deklarata antisemite dhe përkrahu teori konspirative.

Bashkëpunimi i Yeezy me Adidas ishte vënë në shqyrtim pasi West kishte prezantuar një bluzë me mbishkrimin “White Lives Matter” gjatë një shfaqjeje mode në vitin 2022. Më pas, ai publikoi komente të tjera antisemite në rrjetet sociale, çka e shtyu Adidas të largonte produktet e tij nga shitja. Sjellja e West çoi edhe kompani të tjera, si Gap dhe JP Morgan, të ndërprisnin bashkëpunimin me të.

Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura të mërkurën, fondi HLSA-ILA, i cili përfaqësonte investitorët, pretendonte se Adidas kishte vazhduar bashkëpunimin me West edhe pse ishte në dijeni për sjelljen e tij kontroverse. Ata argumentuan se kompania kishte dështuar t’i informonte aksionarët për rrezikun nga kjo marrëdhënie.

Gjykata e Apelit e Qarkut të 9-të në SHBA vendosi në favor të Adidas, duke theksuar se një investitor i arsyeshëm duhet ta dijë se bashkëpunimet me figurat e famshme bartin rreziqe të natyrshme, përfshirë sjellje të papërshtatshme.

Më herët, një gjykatë lokale e kishte hedhur poshtë padinë e HLSA-ILA-së, por firma më vonë ngriti apel.

Prishja e bashkëpunimit me West bëri që aksionet e Adidas të binin ndjeshëm gjatë vitit 2023. Produktet luksoze Yeezy kishin gjeneruar rreth 1.5 miliardë euro në shitje gjatë 2021, duke qenë një nga linjat më fitimprurëse të kompanisë.

Pas ndarjes, Adidas mbeti me mbi 1 miliard euro vlerë të këpucëve Yeezy të pa shitura në depo. Në vitin 2023, kompania njoftoi se do t’i shesë këto produkte dhe një pjesë e të ardhurave do t’u dhurohet organizatave që luftojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin.

Të Ngjashme