Lajme

Gjyqtarja Shpëtime Pitaku shkarkohet nga detyra, arsyeja

Këtë të premte, 26 korrik 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), shpalli vendimin e shkarkimit nga detyra të gjyqtares së Durrësit, Shpëtime Pitaku.

Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin.

Gjyqtarja Pitaku, nuk ishte e pranishme në seancën e shpalljes së vendimit, por u përfaqësua nga avokatja e saj, Romina Zano.

Gjatë seancës dëgjimore më 24 korrik, Pitaku u pyet dhe dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha në shumën totale 65 milionë lekë, si dhe për probleme të tjera për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është përmbyllur hetimi paraprak.

Ajo pretendoi se përmbysi barrat e provës për pasurinë dhe kërkoi riçeljen e hetimit administrativ, për figurën dhe profesionalizmin.

Kryesuesja Pine njoftoi të premten se ishte rrëzuar kërkesa e subjektit për riçeljen e hetimit, pasi gjetjet e konstatuara në kriterin e pasurisë, ishte të mjafueshme për vendimarrjen.

Shpëtime Pitaku, e ka nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Durrës.

Në vitin 2015, Pitaku u kallëzua në Prokurori nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për dyshime për fshehje pasurie, por hetimi u mbyll pa rezultat.