Lajme

Glauk Konjufca merr drejtimin e dialogut Kosovë–Serbi / Ekspertët vlerësojnë qasjen e fortë të Konjufcës

 

Të hënën që lamë pas, zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka takuar Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.

Takimi shënon një moment të rëndësishëm në vazhdimësinë e angazhimeve institucionale të Republikës së Kosovës në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në fokus të bisedës ishin zhvillimet e fundit politike, pritjet për fazën e ardhshme të dialogut, si dhe koordinimi ndërinstitucional për të siguruar një qasje më të konsoliduar dhe efektive në këtë proces.

Gjatë takimit, Konjufca e informoi Sorensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me synimin për të forcuar dimensionin diplomatik dhe për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen institucionale në këtë proces me rëndësi strategjike për vendin.

Halilaj: Glauk Konjufca njihet për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe shpesh më të ashpra në raport me Serbinë

Avokati Gazmend Halilaj, në një përgjigje për “Bota sot”, u shpreh se njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës që dialogu me Serbinë do të udhëhiqet nga Glauk Konjufca përbën një zhvillim të rëndësishëm politik dhe diplomatik për Kosovën.

Sipas tij, Konjufca, si figurë kryesore e Lëvizjes  Vetëvendosje, pritet t’i japë dialogut një qasje më të qartë politike, me theks në sovranitetin, integritetin territorial dhe njohjen reciproke, duke mbajtur një qëndrim më të fortë ndaj Serbisë.

Image
Gazmend Halilaj

“Njoftimi i Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës se dialogu me Serbia do të udhëhiqet nga ministri Glauk Konjufca përbën një zhvillim të rëndësishëm politik dhe diplomatik për Kosovën. Duke qenë një nga figurat kryesore të Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe një politikan me profil të qartë publik, pritet që ndikimi i tij në procesin e negociatave të jetë i dukshëm, si në përmbajtje ashtu edhe në stilin e udhëheqjes së dialogut.

Glauk Konjufca njihet për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta dhe shpesh më të ashpra në raport me Serbinë, sidomos sa i përket çështjeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe kërkesës për njohje reciproke. Për këtë arsye, nën udhëheqjen e tij, dialogu mund të marrë një drejtim më të qartë politik, me theks të shtuar në barazinë mes palëve dhe në vendosjen e njohjes reciproke si qëllim përfundimtar. Kjo mund të nënkuptojë më pak fleksibilitet në disa tema teknike, por një pozicion më të konsoliduar në çështjet thelbësore shtetërore”, tha avokati.

Tutje, Halilaj vlerëson se udhëheqja e Glauk Konjufca mund të sjellë koordinim më të madh institucional dhe qëndrime më koherente të Kosovës në dialog. Sipas tij, kjo mund të rrisë besimin publik, por suksesi do të varet nga balancimi mes parimeve dhe presioneve ndërkombëtare, me ndikim të rëndësishëm në ecurinë e dialogut me Serbinë.

“Një tjetër element i rëndësishëm është koordinimi institucional. Si figurë me peshë brenda LVV-së, Konjufca mund të sigurojë një harmonizim më të madh ndërmjet qeverisë, kuvendit dhe institucioneve të tjera gjatë procesit të dialogut. Kjo mund të forcojë koherencën e qëndrimeve të Kosovës në tryezën e negociatave dhe të shmangë mesazhet kontradiktore që në të kaluarën kanë krijuar paqartësi.

Nga ana tjetër, udhëheqja e tij mund të ndikojë edhe në perceptimin publik të dialogut. Përkrahësit e LVV-së ka gjasa ta shohin këtë si një garanci se procesi do të zhvillohet mbi parime të qarta dhe pa kompromise që cenojnë interesat shtetërore. Megjithatë, suksesi i tij do të varet edhe nga aftësia për të balancuar qëndrimet parimore me kërkesat dhe presionet ndërkombëtare që e shoqërojnë këtë proces.

Në përfundim, ndikimi i Glauk Konjufcës në dialogun me Serbinë pritet të jetë i rëndësishëm, duke sjellë një qasje më të strukturuar, më parimore dhe potencialisht më të vendosur. Mbetet të shihet se si kjo qasje do të reflektohet në rezultate konkrete dhe në avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve” – përfundon ai për gazetën.

Mehmeti: Ai është njohës i mirë i çështjeve politike dhe ka aftësi të fortë retorike

Analisti Faton Mehmeti, thotë se emërimi i Glauk Konjufca në krye të dialogut me Serbinë është sinjal politik, jo vetëm ndryshim teknik.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, suksesi do të varet nga hapësira vendimmarrëse dhe mbështetja ndërkombëtare: qasja e tij mund ta tensionojë procesin, por nëse vepron si negociator strategjik, dialogu mund të hyjë në një fazë më të qartë dhe më të strukturuar.

“Vendosja e Glauk Konjufcës në krye të dialogut me Serbinë nuk është thjesht një ndryshim teknik  është një sinjal politik. Konjufca nuk është figurë e kompromisit diplomatik, por përfaqëson një qasje më të drejtpërdrejtë, më ideologjike dhe më të artikuluar në raport me sovranitetin.

Ndikimi i tij në negociata do të varet nga dy faktorë: sa hapësirë reale vendimmarrëse do t’i jepet dhe sa do të mbështetet nga partnerët ndërkombëtarë. Ai është njohës i mirë i çështjeve politike dhe ka aftësi të fortë retorike, por dialogu me Serbinë nuk është vetëm betejë fjalësh është proces kompleks ku kërkohet ekuilibër mes parimeve dhe pragmatizmit.

Nëse Konjufca hyn me qasjen e një politikani që synon të forcojë pozicionin e brendshëm politik, atëherë dialogu mund të tensionohet dhe të ngadalësohet. Por nëse ai zgjedh të shndërrohet në një negociator strategjik, duke ruajtur vijat e kuqe pa e izoluar Kosovën nga aleatët, atëherë mund të kemi një fazë të re  më të qartë në kërkesa në qëndrime” – deklaron ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme