Kuriozitete

Glikoja traditë e çdo familje përmetare. Alketa Qyraj tregon si e ka kthyer pasionin në burim të ardhurash

Në Përmet, tradita e përgatitjes së glikove është një art që trashëgohet brez pas brezi. Thuhet shpesh se nuk ka grua në këtë qytet që të mos dijë të përgatisë ëmbëlsirat tradicionale të glikosë, një prej simboleve më të njohura të mikpritjes përmetare.

Një prej artizaneve që e mban gjallë këtë traditë është Alketa Qyraj. Ajo e ka mësuar zanatin që në moshë të vogël nga nëna dhe gjyshja e saj, duke trashëguar jo vetëm recetat, por edhe dashurinë për këtë punë.

Prej 11 vitesh, Alketa siguron të ardhurat për familjen e saj pikërisht nga përgatitja dhe shitja e glikove artizanale.

“Merrem me të gjithë procesin, përpunimin e gliko, etiketimin, ambalazhimin, e gjithë puna që bëhet këtu brenda në punishte. Këtu bëhen 13 lloje glikosh dhe më e vështira është ajo e arrës”, tha Alketa.

Megjithëse përgatitja e glikove kalon në disa procese të kujdesshme  nga përzgjedhja e frutave, zierja me sheqer në masën e duhur, deri tek ruajtja tradicionale  kënaqësia që marrin nga vlerësimet e çdokujt që e shijon e bën çdo sakrificë të vlefshme.

“Jam e kënaqur kur vijën turistët dhe provojnë glikotë tona. Ka grupe që shohin të tërë procesin që behet”, tha Alketa.

Në Përmet ka shumë vajza dhe gra si Alketa Qyraj që sigurojnë të ardhurat ekonomike nga përgatitja e glikove artizanale, duke e kthyer këtë traditë në një burim të rëndësishëm të të ardhurave.

Gazetare: L. Koçiu

Të Ngjashme