Gëzim Mekuli, ka reaguar ashpër ndaj interpretimeve politike të rezultateve zgjedhore, duke kritikuar atë që ai e quan “fanatizëm partiak” dhe mohim të realitetit për interesa politike.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Mekuli argumenton se përpjekjet për ta paraqitur rezultatin e LVV-së prej 43 për qind si humbje, ndërsa përqindje dukshëm më të ulëta si fitore, përbëjnë shembull të qartë të deformimit të fakteve dhe të logjikës politike, përcjell “Bota sot”.
Sipas tij, kur besnikëria ndaj partisë vendoset mbi të vërtetën dhe interesin kombëtar, dëmtohet jo vetëm kultura demokratike, por edhe aftësia e shoqërisë për të gjykuar drejt dhe për të mbrojtur interesat e vendit.
Shkrimi i plotë
Fanatizmi partiak: Atëherë kur 43-shi është më i vockël se 7-shi, 17-shi dhe 21-shi
Është një sëmundje politike shqiptare që nuk shërohet me fakte, por vetëm me ndërrim mentaliteti: kjo sëmundje e keqe quhet “fanatizmi partiak”.
Kur smira, xhelozia, inati dhe urrejtja patologjike bëhen më të forta se arsyeja, ndodhin edhe mrekulli matematikore që, qebesa, nuk i njeh as shkenca.
Pse e them këtë të dashur lexues?
E them këtë sepse militantë dhe analistë kamikaz po provojnë ta paraqesin 43% si humbje, ndërsa 7%, 17% apo 21% si fitore. Në këtë matematikë politike, e vërteta po shkrihet para interesit partiak. Ky marifet i tyre po na kujton edhe mitologjinë politike e kulturore serbe, ku, çdo humbje e shfaqin si “Fitore!”
E fanatiku partiak është i gatshëm të falë çdo gabim e dështim të partisë së vet, por jo një fitore të kundërshtarit, në këtë rast të VETEVENDOSJES.
E kur partia bëhet fe, partia bëhet e pamposhtur dhe faktet shpallen armiq; Atëherë humbë edhe aftësia për të gjykuar drejt, për ta pranuar realitetin dhe për ta vendosur interesin kombëtar mbi interesin partiak.
Historia na mëson se sa herë partia është ngritur mbi kombin, ka humbur populli. Në Rusi, në Kinë, në Jugosllavi apo në Korenë veriore, besnikëria e verbër ndaj partisë u vendos mbi interesin e popullit.
Patriotizëm nuk është të mbrosh partinë edhe kur gabon; patriotizëm është të mbrosh kombin edhe kur kjo nuk i pëlqen partisë që ti e mbështetë dhe i beson.
Kush e do partinë më shumë se shqiptarinë, në fund të fundit nuk i shërben as partisë e as kombit; i shërben vetëm fanatizmit dhe budallakisë të vet. Sepse kur propaganda/retorika zëvendëson logjikën dhe kur numri 43 shpallet më i vogël se 7, 17 dhe 21, problemi nuk është më te matematika, por te ndërgjegjja, shëndeti psiqik dhe edukata politike.
Konsekuent deri në fund: nëse ATA nuk e pranojnë një të vërtetë kaq të thjeshtë, se 43-shi është më i madh se 7-shi, 17-shi apo 21-shi atëherë si mund t’u besohet këtyre se do t’i pranojnë të vërtetat shumë më të vështira? Për shembull: Si mund t’u besohet këtyre se do ta luftojnë korrupsionin, se do të udhëheqin me përgjegjësi institucionet e sigurisë, ushtrinë e policinë, apo se do t’i mbrojnë interesat e Kosovës në bisedime të ndjeshme me Serbinë e moçme?
ATA që mohojnë realitetin kur argumenton edhe matematika, vështirë, shumë, shumë vështirë se do ta mbrojmë të vërtetën kur janë në pyetje interesat kombëtare.
