LifeStyle

Goditjet në tru nuk kursejnë as të rinjtë, mjekja neurologe tregon shkaqet pse ndodhin

Goditjet ne tru apo aksidentet vaskulare cerebrale janë të dytat në botë për nga shkalla e vdekshmërisë sipas specialistëve, raste të cilat janë prezente edhe në vendin tonë. Megjithatë sipas neurologes Entela Basha edhe shkalla e invaliditetit mbetet shqetësuese.

“Aksidentet vaskulare cerebrale janë sëmundje mjaftë të shpeshta. Janë sëmundje që kanë invaliditet të lartë dhe mortalitet të lartë. Janë sëmundje që për nga shkalla e mortalitetit janë të klasifikuara të dytat në botë dhe për nga shkalla e invaliditetit janë të parat në botë. Aksidentet vaskulare cerebrale janë sëmundje të moshës së tretë ose më mirë mbi moshën 60-65 vjeç.”

Por a janë të riskuar edhe moshat e reja nga këto probleme shëndetësore?

“Sëmundje që mund të prekë edhe mosha më të reja, kryesisht me mënyrën dhe stilin e jetesës që bëhet sot. Me abuzimin me alkoolin, me duhanin që njihen si faktor risku për aksidentet vaskulare cerebrale, për jetën jo të shëndetshme apo jetën pa aktivitet fizik. Kjo bën që mosha të ulet. Pacientë ne kemi edhe të moshës 30, 35, 40, 45.”

Mjekja thekson se janë një sërë faktorësh që kanë ndikim tek aksidentet vaskulare cerebrale, duke veçuar hipertensionin apo dhe ngushtimi i enëve të gjakut.

“Faktorët e riskut janë që nga hipertensioni, diabeti, çrregullimet e yndyrnave, ngushtimi i enëve të gjakut që furnizojnë trurin. Janë një sërë patologjishë të tjera që lidhen me faktorët e koagolimit njëkohësisht edhe me anomalitë e eneve të gjakut të trurit. Pacientët në mënyrë të menjëhershme vënë re një problem të shikimit, të ekuilibrit, mpirje, rëndimin e dorës apo të këmbës, pamundësinë për të ecur.”   

Specialistët theksojnë se pacientët që kanë probleme kardiovaskulare apo konsumojnë cigare dhe alkool duhet të jenë më të kujdesshëm që mos të rrezikohen nga ky problem shëndetësor.

Klan News

Goditjet në tru nuk kursejnë as të rinjtë, mjekja neurologe