Lajme

Gojnovci: Nëse s’ka marrëveshje për presidentin, vendi mund të shkojë në zgjedhje

Analisti politik Ejup Gojnovci ka deklaruar se mungesa e një kandidati të përbashkët për president, pavarësisht takimeve të kryeministrit Albin Kurti me partitë opozitare, rrit gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

I ftuar në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Gojnovci tha se përgjegjësia për situatën aktuale u takon të gjitha partive politike.

Sipas tij, nëse opozita do të kishte dalë me një kandidat jopartiak dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta refuzonte atë, atëherë do të dihej qartë se kush mban përgjegjësinë.

“Po të kishin një kandidat jopartiak nga cilado parti politike dhe opozita të dilte me një emër të përbashkët, e pastaj LVV-ja të thoshte se nuk e pranon, atëherë do të dihej kush është fajtori. Nuk po e amnistoj VV-në nga ky proces, sepse si subjekti më i madh politik i takon barra kryesore e përgjegjësisë”, ka thënë Gojnovci.

Ai shtoi se, sipas tij, LVV-ja po i kryen obligimet procedurale duke i ftuar partitë në takim dhe duke propozuar emra, por theksoi se imponimi i kandidatëve nuk është zgjidhje.

“Duke thënë ‘merri dy kandidatët e mi dhe zgjidhe cilin po ta pëlqen’, është një lloj talljeje dhe këtë nuk e pranon askush. Kjo është situata ku mendoj se edhe opozita nuk e ka luajtur mirë lojën opozitare”, u shpreh ai.

Gojnovci vlerësoi se, nëse nuk arrihet një kompromis politik në orët e fundit, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.

Të Ngjashme