Google ka njoftuar të hënën se ka filluar të lansojë Gemini në Google TV Streamer, duke zëvendësuar kështu Google Assistant.
Gjiganti i teknologjisë thekson se ky ndryshim do t’u mundësojë përdoruesve të përdorin zërin e tyre më natyrshëm për t’u qasur në përmbajtje dhe më shumë.
Për shembull, përdoruesit tani mund të pyesin: “Më pëlqejnë dramat, por gruas sime i pëlqejnë komeditë. Çfarë filmi mund të shohim së bashku?” kur kërkojnë rekomandime për filma.
Po ashtu, mund të rikujtojnë se ku kanë mbetur me një pyetje si: “Çfarë ndodhi në fund të Outlander sezonin e kaluar?”
Në një shembull tjetër, Google thotë se përdoruesit mund të pyesin edhe: “Cila është drama e re spitalore për të cilën po flasin të gjithë?”
Google thekson se Gemini për TV shkon përtej argëtimit, pasi përdoruesit mund t’i bëjnë asistentit të AI çdo lloj pyetjeje, njësoj si me versionin e Gemini në telefon.
Për shembull, përdoruesit mund të përdorin televizorin për mësim, duke i kërkuar Gemini të “shpjegojë pse shpërthejnë vullkanet fëmijës tim të klasës së tretë”.
Gjithashtu, Gemini mund t’i udhëzojë përdoruesit përmes projekteve apo recetave DIY me video nga YouTube, thotë Google.
Për t’u qasur në Gemini në Google TV Streamer, mjafton të shtypet butoni i mikrofonit në telekomandë.
Sipas kompanisë, përditësimi do të lançohet “gjatë disa javëve të ardhshme” për përdoruesit mbi 18 vjeç.
Ky veprim vjen pasi Google kishte njoftuar në shtator se po prezantonte Gemini për Google TV në pajisjet TCL, ndërsa gjatë këtij viti do të jetë i disponueshëm edhe në modelet Hisense U7, U8 dhe UX 2025, si dhe TCL QM7K, QM8K dhe X11K 2025.
Përveç Google TV Streamer, Gemini është tashmë i disponueshëm edhe në pajisjen e transmetimit Walmart Onn 4K Pro.
Ky njoftim nuk vjen si befasi, pasi ndryshimi është pjesë e planit të Google për të zëvendësuar Google Assistant me Gemini në të gjitha pajisjet dhe platformat e saj. Kompania kishte paralajmëruar në CES në janar se Gemini do të vinte në Google TV gjatë këtij viti.


