Lajme

Grabisnin vila luksoze në Spanjë, arrestohen tre shqiptarë të dyshuar si pjesë e një bande grabitësish

Tre persona me origjinë shqiptare janë arrestuar në Spanjë, pasi dyshohen se janë pjesë e një organizate kriminale që kryente grabitje në vila luksoze në zona rezidenciale me të ardhura të larta.

Operacioni është zhvilluar nga Guardia Civil në Ishujt Balearë, ku tre të dyshuarit u ndaluan në kuadër të aksionit të koduar “Congre”, të zhvilluar më 15 korrik nga Njësia e Policisë Gjyqësore.

Sipas autoriteteve spanjolle, të arrestuarit dyshohen për veprat penale të pjesëmarrjes në organizatë kriminale, vjedhje me forcë në banesa të banuara dhe falsifikim dokumentesh.

Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në dy banesa në zonat Cala Major (Palma) dhe Santa Eugènia, ku hetuesit sekuestruan para cash, dylbi, mjete pune, karta SIM dhe kamera, sende që dyshohet se përdoreshin për përgatitjen dhe realizimin e grabitjeve.

Sipas hetimit, grupi kriminal dyshohet se ka kryer më shumë se 22 vjedhje gjatë viteve 2025 dhe 2026 në zona elitare si Puerto de Andratx, Badia Gran, Costa d’en Blanes dhe Bendinat. Nga këto grabitje, autoritetet dyshojnë se janë përvetësuar pasuri me vlerë mbi 2 milionë euro.

Si vepronte grupi i grabitësve

Sipas Guardia Civil, autorët hynin në banesa duke përdorur mjete të posaçme, përfshirë stërvitëse elektrike (drila), ose duke thyer dyer dhe dritare.

Sendet e grabitura, sipas hetuesve, ruheshin përkohësisht në vende të fshehta në zona malore, përpara se të transportoheshin. Për të shmangur identifikimin nga policia, anëtarët e grupit dyshohet se përdornin edhe identitete të ndryshme.

Hetimi ka zbuluar se organizata kriminale përbëhej nga gjithsej tetë persona, të shpërndarë në vende të ndryshme të Evropës.

Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë dhe pritet të kërkohen urdhra evropianë arresti për gjashtë anëtarët e tjerë të dyshuar të grupit.

Tre personat e arrestuar janë vendosur tashmë në dispozicion të drejtësisë spanjolle.

Të Ngjashme