2
Me Nicolás Maduro-n, por edhe bashkëshorten e tij, tashmë në duart e drejtësisë amerikane, Venezuela veproi me shpejtësi për të mbushur vakumin në majën e pushtetit, duke ia besuar detyrën e presidentes ish-zëvendëspresidentes dhe krahut të djathtë të Maduro-s, Delcy Rodríguez.
Zgjidhja ishte ajo që parashikonin institucionet e vendit, të lodhura prej dekadash nga sundimi i gjatë i Maduro-s dhe më herët i Hugo Chávez-it. Ata që prisnin ose shpresonin për ndryshime të shpejta duket se u zhgënjyen. Mes tyre ishin edhe ata që mendonin se Shtëpia e Bardhë do të rreshtohej hapur përkrah lideres së opozitës dhe fitueses së fundit të Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado.
Sipas New York Times mbi prapaskenat e kësaj zgjedhjeje, Shtëpia e Bardhë kishte vendosur të mos e mbështeste Machado-n edhe përpara se të zhvillohej operacioni amerikan në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 3 janar.
“Është një grua shumë e mirë, por do ta ketë shumë të vështirë të jetë lidere, nuk e respektojnë”, citohet të ketë thënë Donald Trump gjatë fundjavës. Me këtë deklaratë, presidenti amerikan nënvizonte se Machado nuk gëzon mbështetje të fortë as në klasën politike, as në elitën ekonomike, e cila kishte ndërtuar një ekuilibër të brishtë bashkëjetese me regjimin e Maduro-s.
Për vetë Machado-n, ky vendim ishte një goditje e rëndë, fundi i një përpjekjeje disamujore për t’u afruar me Trump-in dhe rrethin e tij të ngushtë. Dhe, në të vërtetë, ajo kishte shkuar ndonjëherë edhe më tej nga sa duhej, si për shembull kur ia dedikoi atij Çmimin Nobel për Paqen.
Në realitet, marrëdhëniet mes Machado-s dhe Uashingtonit kishin nisur të ftoheshin prej muajsh.
Në janar të kaluar, i dërguari i Trump-it, Richard Grenell, vizitoi Karakasin dhe kërkoi të takohej me Machado-n, si edhe t’i dorëzohej një listë me të burgosur politikë për t’u liruar. Pavarësisht garancive amerikane për sigurinë e saj, takimi nuk u zhvillua (ndonëse pati një telefonatë në klimë pozitive) dhe lista nuk u dorëzua, me gjasë për të mos u perceptuar se favorizoheshin disa individë ndaj të tjerëve.
Uashingtonin e shqetësuan gjithashtu planet e paqarta të Machado-s për “ditën e nesërme”, si edhe vlerësimet e saj të pasakta se Maduro dhe regjimi i tij ndodheshin në prag të kolapsit.
Nga ana tjetër, vetë Machado ishte e pakënaqur që Grenell nuk e kishte quajtur publikisht Maduro-n një udhëheqës të paligjshëm.
Sipas New York Times, Trump u bind përfundimisht nga zyrtarë të lartë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, se një mbështetje e hapur amerikane për opozitën do ta destabilizonte edhe më shumë Venezuelën. Një skenar i tillë, paralajmëronin ata, do të kërkonte edhe një prani më të madhe ushtarake të SHBA-së.
Në praktikë, Machado pagoi çmimin e strategjisë së saj të refuzimit absolut për çdo dialog me Maduro-n. Edhe pse kjo qasje gëzonte mbështetje në një pjesë të madhe të opinionit publik, ajo e pengoi të ndërtonte aleanca më të gjera që do ta afronin me pushtetin.
Pak ndihmë i sollën edhe lidhjet e saj me Partinë Republikane në SHBA, veçanërisht pas ardhjes në pushtet të Trump-it, i cili e uli ndjeshëm peshën e ideologjisë në politikën amerikane.
Ndërkohë, mbështetja e hapur e Machado-s për sanksione të ashpra ndaj Venezuelës ftohu marrëdhëniet e saj me elitën e biznesit, e cila ishte përshtatur me regjimin e Maduro-s. Ajo u përplas edhe me shoqërinë civile, e cila përpiqej të përmirësonte kushtet e jetesës në vend. Machado dukej se përfaqësonte më shumë pikëpamjet e venezuelianëve që jetojnë jashtë vendit sesa të atyre që ende jetojnë në Venezuelë.
E gjithë kjo ndodhte ndërkohë që lavdërimet ndaj Trump-it dhe heshtja për vendimet e tij vazhdonin pa asnjë ndryshim nga ana e Machado-s. Siç u dëshmua në fund, pa asnjë rezultat praktik.
ks


