Një procedurë stimuluese e trurit ka përmirësuar simptomat e sëmundjes së Parkinsonit tek një grua 65-vjeçare në Angli – dhe kjo u duk menjëherë e qartë kur ajo filloi të luante në klarinetë gjatë operacionit.
Denise Bacon, një terapiste e të folurit dhe gjuhës në pension, u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit në vitin 2014. Çrregullimi i trurit shkakton dridhje, ngadalësi dhe ngurtësi dhe përkeqësohet me kalimin e kohës ndërsa truri dëmtohet gjithnjë e më shumë.
Për Bacon, sëmundja e Parkinsonit shkaktoi ngadalësi të lëvizjes dhe ngurtësi muskulore që e bënë më të vështirë ecjen, notin, vallëzimin dhe luajtjen e klarinetës.
Simptomat e saj e bënë atë një kandidate për stimulim të thellë të trurit (DBS), një procedurë kirurgjikale ku elektroda stimuluese vendosen në zona të synuara të trurit që kontrollojnë lëvizjen.
Kjo qasje është përdorur prej kohësh për pacientët me forma rezistente ndaj trajtimit të çrregullimeve të lëvizjes, siç është sëmundja e Parkinsonit, e cila nuk ka kurë. Ndërsa DBS nuk e ndalon përparimin e sëmundjes, ajo mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave.
Gjatë operacionit katër-orësh, Keyoumars Ashkan, një profesor i neurokirurgjisë në King’s College London, kreu DBS ndërsa Bacon qëndroi zgjuar, me skalpin dhe kafkën e saj të mpirë nga anestezi lokale.
Kirurgët bënë vrima në kafkën e Bacon dhe i implantuan elektrodat, të cilat ishin të lidhura me një gjenerator pulsi të ngjashëm me një stimulues kardiak, i cili dërgonte impulse elektrike në trurin e Bacon, duke ndihmuar në uljen e simptomave të saj.
Rezultatet ishin “të menjëhershme… sapo stimulimi iu dha trurit”, tha Ashkan në një deklaratë.
Bacon tha se ishte “e kënaqur”.«Mbaj mend që dora ime e djathtë ishte në gjendje të lëvizte me shumë më tepër lehtësi pasi aplikohej stimulimi, dhe kjo nga ana tjetër përmirësoi aftësinë time për të luajtur në klarinetë», tha ajo.
Gjeneratori i pulseve të Bacon i jep një rrymë elektrike të vazhdueshme trurit të saj dhe mund ta rregullojë automatikisht stimulimin. Bateria e tij është implantuar në gjoksin e saj dhe mund të zgjasë deri në 20 vjet para se të duhet të zëvendësohet, sipas Spitalit të Kolegjit King, ku ajo iu nënshtrua operacionit.
Tani, Bacon mezi pret të rifillojë hobet që ishte detyruar t’i reduktonte për shkak të simptomave të saj.
“Tashmë po përjetoj përmirësime në aftësinë time për të ecur dhe mezi pres të kthehem në pishinë dhe në pistën e vallëzimit për të parë nëse aftësitë e mia janë përmirësuar atje”, tha ajo.
