Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Përparim Gruda, ka kritikuar iniciativën e presidentes Vjosa Osmani për ndryshime kushtetuese lidhur me mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar procesin si tërësisht jokushtetues.
Gruda tha se miratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk është në përputhje me Kushtetutën.
“Ky është një proces komplet jokushtetues. Prandaj do ta shqyrtojmë nëse do të marrim pjesë në seancë për të paraqitur qëndrimet tona, por seanca si e tillë është e papranueshme”, deklaroi ai.
I pyetur nëse Partia Demokratike e Kosovës ka ndryshuar qëndrimin lidhur me votimin e presidentit, Gruda tha se pozicioni i partisë mbetet i njëjtë.
“Qëndrimi vazhdon të jetë i njëjtë. Ne nuk votojmë president diktat dhe as kandidat partiak të një force politike vetëm pse ajo ka fituar 50 për qind të votave”, theksoi ai.
Sipas tij, zgjedhja e presidentit duhet të jetë rezultat i një konsensusi më të gjerë politik në Kuvend. /teve1.info/
