Lajme

Gruda: Situata në veri është më e qetë sepse Serbia ka marrë atë që ka dashur – autonominë

Përparim Gruda, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet 7 qershorit, ka folur për situatën aktuale në veri dhe veprimet e qeverisë Kurti atje.

Ai ka thënë se vendosja e masave nga BE pavarësisht heqjes së tyre ka pasur kosto të lartë.

Gruda ka thënë se situata aktuale në veri është me e qetë, por sipas tij, kjo po ndodhë se Serbia nuk është e interesuar për kriza të reja, pasi sipas tij, ka marrë atë çfarë ka dashur, autonominë në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se kjo është bërë me marrëveshjen e Ohrit.

Gruda në emisionin “Këndi i Debatit”në Tëvë1, ka thënë se një ditë Kosovës do t’i kërkohet që kjo marrëveshje të zbatohet.

“Një ditë kur të kryhet “spektakli i veriut” që veç u krye tash, Kosovën nuk ka me ardhur me vet bashkësia ndërkombëtare as a jeni larë mirë në Ujman, as sa herë ka shkua ministri jon me bë spektakël atje, por ka me ardhur dhe me thanë e keni një marrëveshje për autonomi, zbatojeni. A e di pse është më e qetë situata?, sepse Serbia ka marrë atë që ka dashtë, autonominë, nuk ka nevojë për krizë të re, ka marrë atë që ka dashtë” ka thënë anëtari i PDK-së.

Sipas tij, Serbia ka arritur edhe një fitore tjetër në bisedime dhe ajo është se rruga e Kosovës në integrimin evropian është e lidhur me rezultatet në dialog me Serbinë, që siç ka thënë ai deri më tash nuk ka qenë një gjë e tillë.

“Për herë të parë integrimi evropian lidhet me rezultatin në procesin e dialogut. Këto janë dy rezultate që i ka arritur Serbia në letër”, ka thënë Gruda.

Nga ana tjerr, zyrtarë të Qeverisë Kurti, përfshirë edhe vetë kryeministrin thonë se në këtë pjesë të vendit ka shtrirë legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë, që sipas tyre nuk ka ndodhur deri në ardhjen e tyre në pushtet.

 

Të Ngjashme