LifeStyle

Gungat në këmbë, a kanë zgjidhje?

Ҫfarë është një bunion?

Kur gishti i madh ka një deviacion në drejtim të gishtit të dytë, deformimi quhet bunion (hallux valgus). Kjo shkakton një dalje në formë gunge në pjesën anësore të gishtit të madh. Përveç kësaj, ka një ashpërsim të lëkurës dhe indeve pranë zonës së prekur. Lëkura e ashpërsuar dhe indet skuqen dhe shkaktojnë dhembje.

Ndonjëherë një qeskë e mbushur me lëng (bursit) zhvillohet mbi nyje.

Ҫfarë i shkakton bunionet?

Në shumicën e rasteve nuk është e qartë pse zhvillohet një deformim si bunion. Mund të jetë e trashëguar (gjenetike) që një person të ketë një kyç të dobët të gishtit të madh të këmbës. Në disa raste është i lidhur me një problem si osteoartriti ose artriti reumatoid.

Megjithatë, pavarësisht shkakut kryesor, veshja e këpucëve të ngushta ose jo komode ka tendencë ta përkeqësojë problemin. Përdorimi i këpucëve të tilla shton presionin mbi gishtin e madh të këmbës dhe shkakton fërkim me shtresën e sipërme të lëkurës.

Cilat janë simptomat dhe problemet që shkaktojnë bunions?

– Vështirësi gjatë ecjes për shkak të dhembjes.

– Inflamacion dhe ënjtje të shputës së këmbës. Kjo e fundit ndonjëherë infektohet.

– Këmba mund të zgjerohet aq shumë sa që të bëhet e vështirë të gjesh këpucë të përshtatshme.

– Ju mund të zhvilloni artrit në gishtin e madh të këmbës.

– Gishti i dytë mund të deformohet gjithashtu.

– Në rastet më të rënda, gishti i madh mund ta spostojë sipër gishtin e dytë.

Si trajtohen?

Një palë këpucë të mira shpesh janë ato që duhen

Përdorimi i këpucëve të mira nuk e shëron deformimin, por mund të lehtësojnë dhembjen dhe shqetësimin. Idealja do të ishte të ndiqni këshillat e mjekut specialist për të diagnostikuar dhe trajtuar çrregullimet e këmbës.

Këshillat mund të përfshijnë:

Përdorni këpucë, atlete, ςizme apo pantofla që përshtaten mirë me këmbët tuaja

Mos vishni këpucë me takë të lartë, me majë ose të ngushta.

Ju do të konstatoni se këpucët me lidhëse apo shirita ngjitës janë më të mira, sepse ato mund të përshtaten sipas gjerësisë së këmbës.

Vendosja e një materiali të butë mbi bunion mund të ndihmojë, por edhe një copë akull lehtëson dhembjet.

Pajisjet që ndihmojnë në drejtimin e gishtit (orthoses) mund të rekomandohen. Megjithatë, nuk është provuar që ato përmirësojnë apo parandalojnë përkeqësimin e situatës. Këto pajisje mund të ndihmojnë në reduktimin e dhembjes, të paktën për një farë kohe.

Mjekimi

Medikametet si paracetamoli apo ibuprofeni mund të lehtësojnë dhembjen. Antibiotikët mund të nevojiten nëse lëkura dhe indi mbi kyςin e deformuar mund të infektohen.

Kirurgji

Kirurgjia mund të këshillohet nëse ndryshimi i këpucëve nuk lehtëson simptomat. Qëllimi i operacionit është të rregullojë sa më shumë të jetë e mundur dhe të lehtësojë dhembjen. Zakonisht nuk bëhet vetëm për të përmirësuar pamjen. Kjo mund të bëhet duke përdorur një anestezi lokale ose të përgjithshme dhe zakonisht jeni jashtë spitalit në të njëjtën ditë.

Ka lloje të ndryshme të operacioneve të cilat përdoren për të trajtuar bunions. Operacionet variojnë nga prerja e pjesës së devijuar e deri në një zëvendësim total artificial të nyjes së madhe të këmbës. Një procedurë kirurgjikale që përdoret zakonisht quhet osteotomi (një prerje në kockë).