Hulumtuesi i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi, ka paralajmëruar për retorikën nacionaliste në fushatën zgjedhore në Serbi dhe rreziqet që ajo paraqet për Kosovën.
Kuçi, përmes një shkrimi, ka theksuar se deklaratat e Ivica Daçiqit dhe përfshirja e Milan Radoiçiqit në fushatën politike shpërfaqin, sipas tij, planet dhe synimet kundër Kosovës.
Ai ka kritikuar gjithashtu qasjen e disa vendeve perëndimore ndaj Beogradit, duke vlerësuar se tolerimi i veprimeve të Serbisë pa kërkuar përgjegjësi konkrete rrezikon të nxisë pandëshkueshmërinë, ekstremizmin dhe destabilizimin në rajon.
Shkrimi i plotë:
FUSHATA ELEKTORALE PO NORMALIZON AMBIENTIN POLITIK ARMIQËSOR, PO SHPËRFAQ PLANET E SERBISË KUNDËR KOSOVËS
Kosova është kryefjala e partive pasardhëse të regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Serbi gjatë zgjedhjeve elektorale. Këto zgjedhje po shpërfaqin pa dorëza atë çka akoma është në planet megalomane të “Serbisë së Madhe”, të përkthyera nën emrin e “Botës Serbe”.
Daçiq, në fushatën e tij, shpërfaq planin se si synojnë që një ditë ta ripushtojnë Kosovën, duke valëvitur përsëri flamurin në Prizren. Në anën tjetër, kryeterroristi Milan Radoiçiq shfaqet lirshëm në fushatën politike për të krijuar terrenin që të fitojë përsëri regjimi i Vuçiqit.
E gjithë kjo na tregon se sa e gabuar është qasja e disa vendeve perëndimore, të cilat, në përpjekje për ta larguar Serbinë nga Rusia dhe për ta afruar me Perëndimin, po tolerojnë kriminalitetin në Serbi dhe veprimet e këtij vendi kundër fqinjëve të tij. Një qasje e tillë bie ndesh me parimet dhe standardet që vetë Perëndimi promovon. Kjo mendësi realisht nxit kulturën e pandëshkueshmërisë, e cila ushqen ekstremizmin, ndërsa ekstremizmi prodhon destabilizim.
Paramendoni sikur BE-ja të dëgjonte deklarata të tilla nga politikanët në Kosovë. Menjëherë do të pasonin sanksione, kërcënime e gjithçka tjetër.
Nuk guxohet të lejohet normalizimi i gjuhës së mobilizimit të masave nëpërmjet iniciativave nacional-shoviniste, sepse kjo prodhon rrethana të pafavorshme dhe të pakontrollueshme në të ardhmen. Thënë thjesht, kjo e kthen një masë të gjerë që i bindet bandës nacional-shoviniste të Vuçiqit, në kamikazë.
Politika e paqëtimit ndaj Beogradit rrezikon ta ushqejë këtë klimë kur bashkëpunimi diplomatik vazhdon pa kërkuar përgjegjësi konkrete institucionale.
