Ilir Metaj dhe Saimir Korreshi u përplasën gjatë Komisionit Hetimor të Sterilizimit, aty ku do të thirren dëshmitarë për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen e sterilizimit dhe check-up në shëndetësi.
Deputetët e PD kërkuan që në Komision të thirrej për të dhënë dëshminë e tij dhe kryeministri Edi Rama, teksa deputeti Metaj iu kthye duke thënë se opozita ta thërriste atë vetëm për “ndonjë leksion si vihet në pushtet”.
“Unë ua thash dhe dje, nëse keni nevojë për leksione se si fitohen zgjedhjet apo si krijohet një shtet me standarde europiane, mbase kryeministri Rama mund ta marrë parasysh kërkesën tuaj. Po t’i bëni një kërkesë me shkrim, mbase do gjejë kohë në axhendën e tij të bëj një seminar workshop-i me ju. Kështu që mos të humbasim prapë kohë, të njëjtën kohë që e humbëm në të njëjtën mënyrë dhe të vazhdojmë në rendin e ditës”, tha Metaj.
Nga ana tjetër, Korreshi iu kthye duke thënë: “Faktikisht ato leksionet si vihen në pushtet… unë do të doja disa leksione si mund ta kemi krimin e organizuar nga Rama, se si mund të vidhen kaq shumë lek me buxhetin e shtetit. Mirë do të ishte që disa leksione t’i jepte, të vinte këtu e të na i tregonte këto leksione. Të na jepte disa leksione si rrihet dhe të hahet dardha mbrapa, ose të thotë: ‘Jam frikacak, s’ma mban prapanica të vij këtu në komision’. Kështu duhet të thotë me pak fjalë kryeministri.
Ne ja dërgojmë dhe me shkrim dhe me televizor, por puna është që as ju nuk ju shohim më në televizor kur flisni, jo më ne. Nga godina atje po deshi, ngaqë ka harxhuar dhe 2 milionë euro chartera, t’i fusim dhe një charter këtu përballë, t’ia shtrojmë rrugën me petale deri këtu se ndoshta vjen. Pra ka kohë të mbledhë ambasadorët në mbledhjet e partisë, por ama kur e kërkon një komision hetimor nuk vjen. Pse nuk vjen? Kush e ndalon kryeministrin të vijë? Ja çojmë ne me shkrim patjetër, le të vijë kryeministri me shkrim dhe të thotë që nuk vjen. Ta dijnë dhe shqiptarët që nuk vjen”, tha si fillim Korreshi.
Më pas ai shtoi: “Ne kemi qejf ta shohim se na ka marrë malli. Kemi 6 muaj që s’e kemi parë. Vetëm thojini që të vijë se i ka marrë malli ata të opozitës ta shohin me sy. Vetëm hajde o Skënderbe, ta thërrasë kjo Mamica. Hajde o Skënderbe të të shohim se na ka marrë malli. Çaji malet më dysh.
Po lëreni se është turp. Ne duam kërkesë me shkrim, me gojë, si të doni. Duhet të vijë kryeministri bashkë me shoqen Vilma. Edhe po erdhën dorë për dore nuk ka problem, i pyesim të dy bashkë, nuk ka asgjë të keqe”.