Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin holandez Sint-Analand, ku një hajdut i kërkoi falje një gruaje 82-vjeçare gjatë një vjedhjeje në shtëpinë e saj dhe madje i ktheu disa nga bizhuteritë që kishte marrë. Lajmi u bë i ditur nga policia lokale, e cila raportoi se incidenti ndodhi gjatë natës.
Autori hyri në banesë pasi theu xhamin e derës së tarracës. Gruaja u zgjua nga drita dhe më pas dëgjoi një zhurmë të fortë, ndërsa hajduti iu afrua duke i kërkuar bizhuteritë në anglisht të dobët. Ai arriti të merrte një byzylyk dhe një gjerdan, por kur viktima i tregoi se gjerdani kishte të varur unazën e martesës së bashkëshortit të saj të ndjerë, hajduti u ndal.
“Më falni, duhet ta bëj, jam në telashe”, i tha ai të moshuarës sipas dëshmisë së saj, përpara se t’i kthente gjerdanin dhe të largohej nga vendngjarja.
Policia reagoi menjëherë duke kryer një kontroll në zonë, por deri më tani autori i krimit nuk është kapur. Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik për shkak të kombinimit të dhunës me gjestin e pazakontë të “pendesës” së hajdutit.