Një moment i vërtetë tmerri është regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në Marseille, ku shtëpia e futbollistit të njohur Benjamin Pavard ka rënë pre e një tentative grabitjeje.
Mediat më të mëdha franceze, duke përfshirë Le Parisien dhe La Provence, kanë zbardhur detaje ekskluzive nga ngjarja që mund të kishte përfunduar shumë më keq.
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 20:00, kur bashkëshortja shqiptare e futbollistit, modelja Kleofina Pnishi, së bashku me vëllain e saj, kanë pikasur pesë persona të maskuar në kopshtin e vilës, fiks përpara xhamit të madh të shtëpisë.
Pa humbur kohë dhe me një gjakftohtësi, Kleofina ka telefonuar menjëherë policinë. Sapo kanë kuptuar që u diktuan, hajdutët janë arratisur me shpejtësi me një automjet të tipit Mercedes.
Reagimi i forcave të rendit ka qenë i menjëhershëm. Policia e Marseille ka arritur ta lokalizojë makinën e dyshimtë vetëm pak minuta pas alarmit, duke vënë në pranga pesë personat, të moshave nga 16 deri në 27 vjeç, të gjithë me precedentë të mëparshëm penalë. Fatmirësisht, grupi nuk ka arritur të futet brenda në shtëpi dhe nuk ka dëme materiale apo të lënduar. Ky incident shqetësues vjen vetëm dy ditë pasi Pavard njoftoi zyrtarisht largimin e tij nga klubi i Olympique de Marseille.

