Radio Evropa e Lirë raporton se emri i Ilia Uvarovit, shefit të ri të Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Prishtinë, figuron në një databazë të publikuar nga organizata ukrainase Molfar, ku përfshihen persona që dyshohet se kanë lidhje me shërbimet sekrete ruse. REL-i nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Në gusht 2025, UNMIK njoftoi shkurt se përfaqësuesja speciale e OKB-së kishte pritur Uvarovin si shef të ri të kësaj zyre në Prishtinë.
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thekson se zyra ndërlidhëse konsiderohet si mision diplomatik, prandaj Kosova ka të drejtë ligjore të refuzojë përfaqësues me të kaluar të dyshimtë.
Ai paralajmëron se ambasadat dhe konsullatat mund të përdoren edhe për veprimtari të shërbimeve sekrete, ndaj raste të tilla kërkojnë kujdes maksimal.
“Edhe pse zyra në fjalë quhet ndërlidhëse, ajo konsiderohet si mision diplomatik, çka Kosova sikurse çdo vend tjetër që kanë të drejtën ligjore të pranimit ose jo të një konsulli ose ambasadori, do duhej të aplikoj ligjin e kësaj fushe, që n’rast se i njëjti del me backrorund të dyshimtë, të refuzoj të njëjtin që të shërbej në vendin tonë.
Një prej dyerve të shërbimeve sekrete që shfrytëzojnë vendet, janë edhe ambasadat apo konsulatat, andaj trajtimi me kujdes e seriozitet i një rasti të tillë është mëse i domosdoshëm”, ka thënë Halimi për “Bota sot”.
