Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë numrat për ta zgjedhur presidentin, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Ai, në hollin e Kuvendit, para gazetarëve, tha se Albin Kurti tashmë e ka rrugën e hapur për ta zgjedhur presidentin, pas qëndrimit të djeshëm të LDK-së se do të votojnë për një president unifikues dhe konsensual.
Por, e bëri të qartë se PDK nuk do të përfshihet në diskutimet mes këtyre dy partive për ta zgjedhur të parin e shtetit.
“Nuk ka pengesë prej neve. Po themi: ejani, në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve, i japim vendit institucione. Bëni kryetarin e Kuvendit, formoni qeverinë dhe zgjidhni presidentin. Tash, pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga është e hapur. I kanë numrat, i kanë votat, por këtë vend dhe këtë vendi e ka përgjegjësinë që LVV-ja dhe zoti Kurti t’i japin institucione, apo me mbajtë vendin në vakum institucional… Më lehtë merren vesh, dakordohen dy parti politike sesa kur bëhen më shumë. I kanë numrat… Kur ka pasur negociata për marrëveshje, pala e tretë, derisa ka përfunduar negociatat midis dy palëve, nuk është përfshirë. Nuk e ka prishur rendin e negociatave. I kanë numrat, e kanë gatishmërinë dhe nuk është në diskrecion të asnjë individi me u vendos mbi Kushtetutën”, tha ai.
Hamza nënvizoi sërish se nuk do të takohet me liderin e LVV-së, siç tha, pasi ai nuk dëshiron bashkëpunim dhe partneritet.
Sipas tij, ftesat e Kurtit janë pa përmbajtje dhe nuk janë serioze.
“Zoti Kurti nuk dëshiron bashkëpunim, nuk dëshiron partneritet, por nënshtrim. PDK-ja, bazuar në të gjitha këto fakte, ka ardhur në qëndrimin e saj që ne do ta luajmë rolin tonë në Kuvend si parti opozitare, me kritikë, alternativa, por edhe përkrahje për çështje të rëndësishme të vendit. Marrëveshja financiare ndërkombëtare dhe tema të tjera të rëndësishme, por nuk mund të ketë situatë më serioze sesa suspendimi i rendit kushtetues. Mosrespektimi i rregullores së Kuvendit dhe vendimeve të gjykatave, përfshirë asaj Supreme, ku thotë se nuk mund të jesh edhe ministër dhe deputet”, theksoi Hamza.
