Të premten janë ndaluar 109 persona për 48 orë nën dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Autoritetet thanë se të ndaluarit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka edhe familjarë të kandidatëve për deputetë.
Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, gjatë një konference për media, Kryeziu tha se i gjithë manipulimi ka ndodhur në Qendrën Komunale të Numërimit dhe janë prekur votat e kandidatëve për deputetë.
Sipas tij, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.
“Do të ishte e pamundur të ndryshoheshin të gjithë këto vota po të mos kishte kompromis të gjithë komisionerëve, atyre që kanë qenë të deleguar nga katër partitë politike më të mëdha në Kosovë sepse sistemi është i tillë që komisionerët në një mënyrë janë mekanizëm kontrollues”, tha Kryeziu.
Sipas tij, vetëm një vendvotim, apo një klasë, ka dalë që nuk i ka pasur votat e keqpërdorura, teksa numri i votave të falsifikuara për një kandidat ka arritur në mbi 6.000.
“Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, deklaroi Kryeziu.
Nga Prokuroria thanë se tani kanë edhe komisionerë që kanë bashkëpunuar me ta dhe u kanë treguar autoriteteve se si kanë ardhur presionet se kush ka dhënë ryshfet.
Për këtë rast, asnjë kandidatë për deputetë nuk është intervistuar, pasi Prokuroria në Prizren tha se nuk ka prova ndaj tyre. Ata, megjithatë, mund të ftohen në cilësinë e të dëmtuarve, tha kryeprokurori Kryeziu.
Nga votat e manipuluara, janë kryesisht kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.Sipas rezultateve të përmbledhura të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), aktualisht katër nga kandidatët që projektohen të zënë ulëse në legjislaturën e ardhshme, rezultojnë me 700 deri në rreth 3,300 vota të shtuara.
Ata janë Xhavit Haliti, Kujtim Gashi, Enver Hoxhaj dhe Nait Hasani.
Procesi i rinumërimit të votave, i cili ka përfunduar në vendvotimet e 19 komunave dhe po vazhdon në 19 komuna të tjera, ka rezultuar me heqjen e 719 votave për Xhavit Halitin, ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës.
Në listën e 22 kandidatëve më të votuar të PDK-së, Haliti renditet i 16-ti, një pozitë që e çon atë drejt Kuvendit.
Ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhajt, të renditur të tetin sipas votave të fituara në listën e PDK-së, rezulton t’i jenë minusuar 1,066 vota nga procesi i rinumërimit.
Kujtim Gashi, i renditur i 15-ti në listë, ka 2,426 vota më pak aktualisht, ndërsa rinumërimi po vazhdon deri në verifikimin e të gjitha vendvotimeve, ndërsa Nait Hasani ka 3,335 vota më pak. Hasani listohet kandidati i 10-të më i votuar në listë, edhe pas minusimit të mbi tre mijë votave.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka paralajmëruar se deputetëve të cilëve u janë shtuar votat gjatë procesit të numërimit të tyre dhe “faktohen që janë pjesë të asaj” skeme, do t’u kërkohet mospranimi i mandatit.
“Ti mundesh me i pasë 50 mijë vota, 100 mijë vota, por nëse të janë shtuar votat dhe konstatohet dhe faktohet që ti je pjesë e asaj, nuk mundesh të thuash ti se je deputet, kushdo qoftë ai dhe nga cilado parti”, ka thënë Hamza të mërkurën.
“Në parim nuk duhet me pranu mandatin e deputetit”.
Sipas liderit të PDK-së, edhe nëse numri i votave të shtuara të kandidatëve për deputetë nuk ndikon në rënien e tyre nën pragun e 22 deputetëve të projektuar të PDK-së, partia do të distancohet nga keqpërdoruesit e dyshuar.
Analisti Lirim Gashi, thotë se përfshirja në manipulimin e votave nuk përfaqëson as guxim politik dhe as vullnet për drejtësi.
Sipas tij, pyetja thelbësore nuk është çfarë deklaron Hamza, por pse ai masën më “të ashpër” e redukton në mospranimin e mandatit.
“Deklarata e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Bedri Hamza, se do t’u kërkojë mospranimin e mandatit deputetëve për të cilët vërtetohet ligjërisht përfshirja në manipulimin e votave, nuk përfaqëson as guxim politik dhe as vullnet për drejtësi. Ajo është, në thelb, pranim i heshtur i një fakti të kryer, i zbukuruar me gjuhë morale për konsum publik. Pyetja thelbësore nuk është se çfarë thotë ai, por pse ai masën më të “ashpër” e redukton në mospranim të mandatit? Sepse në logjikën e kësaj partie banditesh, manipulimi elektoral ende trajtohet si delikt xhentëlmenësh, si devijim teknik, e jo si krim moral, politik dhe institucional. Mospranimi i mandatit nuk është ndëshkim; është kozmetikë politike. Sepse nuk e prek strukturën kriminale që e prodhon manipulimin, nuk çmonton zinxhirin e përgjegjësisë dhe, mbi të gjitha, nuk krijon frikë nga pasojat juridike”, deklaron Gashi.
Ai thotë se duhet përjashtim të menjëhershëm nga partia dhe çdo gjë më pak se kaq është normalizim i krimit elektoral dhe edukim i heshtur i brezit të ardhshëm se vjedhja e votës është e falshme.
“ Në çdo parti që pretendon seriozitet demokratik, vjedhja e votës nuk sanksionohet me “mos hyrje në Kuvend”, por me: përjashtim të menjëhershëm nga partia, me diskreditim publik e politik, dhe me procesim të drejtpërdrejtë tek organet e drejtësisë. Çdo gjë më pak se kaq është normalizim i krimit elektoral dhe edukim i heshtur i brezit të ardhshëm se vjedhja e votës është e falshme, për sa kohë hajdutëria nuk vërehet nga monitoruesit dhe nuk sanksionohet nga drejtësia. Po aq domethënëse është edhe koha e reagimit: Pse zëri moral zgjohet vetëm pas numërimit të votave? Sepse reagimi i bosëve të kësaj strukture të kalbur politike nuk buron nga parimi, por nga frika e ekspozimit. Ata nuk reagojnë kur procesi rrezikohet, por kur rezultati bëhet i pakontrollueshëm, i turpshëm dhe i pambrojtshëm. Kjo nënkupton njërën nga këto tri të vërteta – të gjitha po aq komprometuese: ose procesi nuk monitorohet seriozisht; ose monitorohet dhe tolerohet derisa skema të funksionojë; ose reagohet vetëm kur manipulimi nuk u shërben më interesave të brendshme. Në secilin rast, nuk kemi thjesht vonesë reagimi, por krizë të thellë etike dhe morale”, thekson analisti.
Problemi sipas Gashit, nuk qëndron te individi që manipulon, por sistemi që e lejon, e mbron dhe e përdor.
“Ky rast nuk dëshmon vetëm mungesë kontrolli të brendshëm; ai zbulon një kulturë politike të kalbur, ku kandidati shihet si mjet elektoral dhe jo si subjekt moral, ku vota trajtohet si mall tregu e jo si amanet qytetar. Një parti që “zbulon” manipulimin vetëm pasi votat janë numëruar, pranon në mënyrë implicite se: nuk i ka filtruar kandidatët, nuk i ka mbikëqyrur strukturat, nuk ka ndërtuar mekanizma të përgjegjësisë së brendshme. Me fjalë të tjera: problemi nuk është individi që manipulon, por sistemi që e lejon, e mbron dhe e përdor – derisa të kapet. Nëse kjo parti dëshiron realisht ta bindë publikun se është reformuar, duhet të fillojë jo me deklarata, por me pastrim të vërtetë, ndëshkim të rreptë dhe transparencë brutale ndaj vetvetes. Pa këto veprime, çdo paralajmërim do të mbetet thjesht retorikë për studio televizive, e jo akt serioz politik. Sa më përket mua, kjo parti nuk është viktimë e ndonjë devijimi të rastësishëm; ajo është vetë simptoma e fëlliqësisë politike. Dhe për strukturat kriminale që ndërtohen mbi gënjeshtra, dhunë morale dhe vjedhje sistematike, historia i ka një ligj të hekurt: Ato zhduken – ashtu si u zhdukën dinosauret. Vafshin në ferrin e dreqit të mallkuar dhe kurrë mos u kthefshin”, përfundon analisti.
