Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka theksuar se zgjedhja e Presidentit të ri të vendit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.
Në një postim në rrjetet sociale, Hamza njofton se ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit. Ai thekson se si subjekt politik opozitar, PDK-ja nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështet kandidatura që nuk reflektojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.
“Uroj që të ketë reflektim nga ata që kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë,” shkruan Hamza.
Postimi i plotë:
Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.
Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese.
Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë.
Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri.
