Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Jeton Zulfaj në pozitën e kryenegociatorit të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë i cili u bë të premten, Zulfaj do të jetë përgjegjës për koordinimin e procesit të integrimit evropian të vendit, duke punuar në bashkëpunim me institucionet përkatëse shtetërore.
Ai deri më tani ka shërbyer si këshilltar politik i Kurtit që nga marsi i vitit 2021, ndërsa në këtë detyrë të re zëvendëson Besnik Bislimi, i cili më herët ka mbajtur rolin e kryenegociatorit.
Bislimi njëkohësisht ka udhëhequr edhe dialogun Kosovë–Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Ndërkaq, Qeveria kishte njoftuar në shkurt se në këtë proces Kosova do të përfaqësohet nga Glauk Konjufca.
Përveç detyrës si kryenegociator, Zulfaj është caktuar edhe Koordinator kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), duke u bërë autoriteti kryesor koordinues në emër të Qeverisë për të gjitha çështjet që lidhen me këtë mekanizëm.
Njohësit e zhvillimeve në vend kanë folur rreth emërtimit të Zulfajt.
Rëndësia e detyrës së Jeton Zulfajt
Njohësi i zhvillimeve vendore e ndërkombëtare, Eduard Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, tha se emërimi i Zulfajt vjen në një moment të ndjeshëm dhe në thelb pozicioni nuk është thjesht teknik, por politik dhe strategjik.
Sipas tij, nëse Zulfaj arrinë të funksionojë si një figurë teknokratike, me qasje pragmatike dhe koordinuese mes institucioneve, atëherë emërimi mund të shërbejë si katalizator për disiplinimin e agjendës reformuese dhe për rritjen e kredibilitetit të Kosovës në sytë e BE-së

Eduard Gashi
“Emërimi i Jeton Zulfajt si kryenegociator i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian vjen në një moment të ndjeshëm dhe potencialisht vendimtar për rrugën evropiane të vendit. Në thelb, ky pozicion nuk është thjesht teknik, por politik dhe strategjik: ai përfaqëson pikën ku përkthehen aspiratat shtetërore në marrëveshje konkrete me Brukselin. Prandaj, rëndësia e këtij emërimi qëndron më pak te individi në vetvete dhe më shumë te sinjali që jep për seriozitetin institucional të Kosovës në një fazë kur procesi i zgjerimit të BE-së po rikonfigurohet. Nga një këndvështrim pro-kosovar, ky hap është i domosdoshëm. Kosova ka vuajtur për vite nga mungesa e një strukture të qëndrueshme dhe të centralizuar negociuese, duke e lënë procesin e integrimit shpesh të fragmentuar dhe të politizuar. Nëse Zulfaj arrin të funksionojë si një figurë teknokratike, me qasje pragmatike dhe koordinuese mes institucioneve, atëherë emërimi mund të shërbejë si katalizator për disiplinimin e agjendës reformuese dhe për rritjen e kredibilitetit të Kosovës në sytë e BE-së”, deklaron Gashi.
Emërimi i Zulfajt sipas Gashit, mund të shihet edhe si një përpjekje për të korrigjuar perceptimin ndërkombëtar dhe për të sinjalizuar një kthesë drejt një angazhimi më konstruktiv.
“Megjithatë, nuk mund të injorohet fakti që ky vendim vjen nga një qeveri që shpesh ka pasur marrëdhënie të tensionuara me partnerët evropianë. Qasja konfrontuese e Albin Kurtit në disa çështje kyçe – sidomos në dialogun me Serbinë dhe në raport me kërkesat e koordinuara të BE-së dhe SHBA-së – ka krijuar një deficit besimi. Në këtë kontekst, emërimi i një kryenegociatori mund të shihet edhe si një përpjekje për të korrigjuar perceptimin ndërkombëtar dhe për të sinjalizuar një kthesë drejt një angazhimi më konstruktiv. Pyetja thelbësore është nëse kjo është një ndryshim substancial apo thjesht një rregullim taktik. Sa i përket ndikimit në avancimin drejt BE-së, gjithçka do të varet nga autonomia reale që do t’i jepet këtij roli. Nëse kryenegociatori mbetet i kufizuar nga vendimmarrja e centralizuar politike dhe nga kalkulimet e brendshme elektorale, atëherë efekti do të jetë i kufizuar. Por nëse ai shndërrohet në një ndërmjetës të besueshëm mes Brukselit dhe Prishtinës, duke përkthyer kërkesat e BE-së në reforma të zbatueshme dhe duke shmangur retorikën populiste, atëherë mund të ketë një përshpejtim të dukshëm të procesit”, deklaron Gashi.
Ai përmend sfidën kryesore të Kosovës, duke përfshirë pastaj edhe luftën kundër korrupsionit, depolitizimin e administratës dhe forcimin e institucioneve të pavarura, që sipas tij Kosova historikisht ka pasur vështirësi.
“Në planin ekonomik, qasja në fondet e Planit të Rritjes të BE-së dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje përfaqëson një mundësi reale transformimi. Këto fonde nuk janë thjesht ndihmë financiare; ato janë të strukturuara për të nxitur reforma në sundimin e ligjit, funksionimin e tregut, energjinë dhe administratën publike. Për një ekonomi si ajo e Kosovës, kjo mund të përkthehet në investime infrastrukturore, përmirësim të klimës së biznesit dhe rritje të besimit të investitorëve të huaj. Nëse menaxhohen si duhet, këto instrumente mund të krijojnë një cikël pozitiv zhvillimi, duke e afruar vendin me standardet e BE-së jo vetëm në letër, por edhe në praktikë. Por këtu qëndron edhe sfida kryesore. Fondet e BE-së janë gjithmonë të kushtëzuara me reforma të thella dhe shpesh të dhimbshme politikisht. Këto përfshijnë luftën kundër korrupsionit, depolitizimin e administratës dhe forcimin e institucioneve të pavarura – fusha ku Kosova historikisht ka pasur vështirësi. Për më tepër, një qasje e brendshme politike që shpesh e sheh kompromisin si dobësi mund ta vështirësojë zbatimin e reformave që kërkojnë konsensus të gjerë dhe stabilitet institucional”, shton Gashi.
Gashi shton se emërimi i Zulfajt është hap i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm.
“Në fund, emërimi i Zulfajt është një hap i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm. Ai mund të krijojë një kornizë më funksionale për integrimin evropian, por suksesi do të varet nga një ndryshim më i thellë në mënyrën se si Kosova e koncepton raportin me BE-në: jo si një arenë për afirmim politik të brendshëm, por si një proces teknik, i disiplinuar dhe afatgjatë. Vetëm nëse kjo logjikë mbizotëron, emërimi do të ketë peshën që i atribuohet”, përfundon Gashin.
Jeton Zulfaj është zyrtar dhe këshilltar politik nga Kosova, i cili ka qenë i angazhuar kryesisht në fushën e integrimeve evropiane dhe politikave publike.
Ai ka shërbyer si këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti që nga marsi i vitit 2021, duke qenë pjesë e stafit të afërt të tij në Qeveri. Në këtë rol, ka qenë i përfshirë në çështje strategjike që lidhen me politikat shtetërore dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Sa i përket formimit profesional, Zulfaj ka përvojë si studiues dhe aktivist i shoqërisë civile, me fokus në integrimin evropian, pjesëmarrjen qytetare dhe përmirësimin e politikave publike.
Përveç angazhimit institucional, ai njihet edhe si analist dhe njohës i çështjeve evropiane, ndërsa më herët ka qenë i përfshirë në organizata dhe iniciativa që promovojnë demokracinë dhe zhvillimin shoqëror në Kosovë.
Emërimet e reja, përvoja dhe pritshmëritë
Kurse, analisti Gani Qarri, thotë se emërtimet e koordinatorëve të rinj zgjojnë kureshtje të theksuar në opinion.
Duke pasur parasysh papërvojën politike të Zulfajt, Qarri në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh skeptik pasi konsideron se gjithë këto përgjegjësi mund të jenë sprovë e vështirë për tu realizuar me sukses.

Gani Qarri
“Në fakt emërimet e koordinatorëve të rinj, veçanërisht ata që kanë të bëjnë me avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, zgjojnë kureshtje të theksuar në opinion, në anën tjetër ndonjë emër që në të kaluarën nuk ka punuar në sektorët e jashtëm dhe nuk ka pasur qasje direkte në marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Evropian, nuk janë vetëm risi, por më tepër, bëhen befasi më vete, derisa figura të pa dëshmuara në politikë as financa publike, që lënë për të dëshiruar, emërohen nga kryeministri në poste kaq me rëndësi. Zulfaj përveç koordinimit të procesit të integrimit evropian të vendit, është caktuar edhe Koordinator kombëtar në Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), madje të njëjtit i është ngarkuar roli kryesor koordinues edhe për komunikimin me Komisionin Evropian, si dhe është emëruar si njeriu kryesor për mbikëqyrjen e zbatimit të mbështetjes nga BE-ja, gjë që duke pas parasysh se përveç kornizës ligjore, ka të bëjë edhe me qasjen direkte në fondet e Planit të Rritjes të BE-së, prej nga Kosova pritet të përfitojë 882 milionë euro në kredi dhe grante, çështja bëhet vërtet e paparashikueshme dhe shumë problematike. Ndaj duke pasur parasysh se z.Zulfaj nuk ka ushtruar asnjëherë, në asnjë sektor, detyrë ministri dhe nga marsi i vitit 2021 deri më tani, ka qenë vetëm këshilltar politik i Kurtit, por përkundër mungesës së përvojës, nga këshilltar i thjeshtë i kryeministrit, caktohet brenda nate, si i ngarkuari kryesor për realizimin e gjithë këtyre detyrave me shumë përgjegjësi, krejt kjo duket si mbingarkim tejet problematik dhe sprovë e vështir për tu realizuar me sukses”, deklaron Qarri.
Ai e konsideron çështjen si delikate për shkak se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk ka as status kandidati për anëtarësim në Bashkimin Evropian
“Kështu që, emërimi i z. Zulfaj, nga një person pa përvojë, në multikoordinator ndërkombëtar për vendin, krijon shumë habi, dhe pyetje sesi do të arrij, ai ti jetësoj të gjitha i vetëm, përveçse nëse në vitet, sa ishte këshilltar i kryeministrit, ka arritur ta bindë kryeqeveritarin, se posedon veti supermeni dhe aftësi predikuesi të gjithëfuqishëm. Çështja bëhet edhe më delikate, kur gjithë kësaj i shtojmë faktin se Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, që ende nuk ka as status kandidati për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa kërkesa për anëtarësim, ani pse është dorëzuar që në fund të vitit 2022, ajo ende nuk është marrë në shqyrtim nga BE, kështu që aventura e kryeministrit Kurti me këtë emërim, bëhet edhe më e koklavitur. Megjithatë përveç rolit të kryenegociatorit me BE-në dhe Koordinatorit kombëtar në Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), kryeministri e ka autorizuar z. Zulfaj për të shërbyer edhe si autoriteti kryesor koordinues në emër të Qeverisë me BE-në, ani pse cilido shtet për detyrën e multikoodinatorit shtetëror, do ta përzgjidhte personalitetin më të fuqishëm poliedrik të vendit. Uvertura e jashtëzakonshme e kryeministrit, me emërimin ad-hoc, të Jeton Zulfaj-t kryenegociator të Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, e bënë tepër të paparashikueshme se çfarë përfitimesh konkrete mund ti sjellë Kosovës ai edhe me qasjen në fondet e Planit të Rritjes të BE-së, Instrumentin për Reforma e Rritje, si dhe me çfarë sfidash mund të ballafaqohet Kosova për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja, me multikoordinator si Zulfaj- pa asnjë përvojë, amator në profesion dhe i pa dëshmuar në detyrë”, thekson Qarri.
Në fund ai shton se mbeten shumë pyetje me shumë të panjohura sesi do të ndikojë emërimi i Zulfajt.
“Prandaj mbetet pyetje me shumë të panjohura, se si do të ndikojë emërimi i një amatori si Zulfaj për multikoordinator nga Albin Kurti, edhe në avancimin e Kosovës drejt BE-së, kur për poste të tilla poliedrike, nga cilido vend edhe kandidat për inkuadrim, preferohen profesionist të sprovuar, të paktën në dikastere të çështjeve të integrimit evropian e njohës të mirë të zhvillimeve politike dhe programeve financiare të BE-së”, përfundon Qarri për “Bota sot”.
