Kuriozitete

Hapën një konservë salmoni që kishte skaduar para 50 viteve, shkencëtarët mbeten pa fjalë

Kanaçet e aluminit të harruara për dekada në raftet e dyqaneve po tregojnë vlera të papritura për shkencën.

Një studim nga Universiteti i Uashingtonit në SHBA ka zbuluar se konservat e vjetra të salmonit mund të jenë burime të vlefshme informacioni për gjendjen e ekosistemeve detare.

Studiuesit analizuan mbi 170 kanaçe salmoni të konservuara mes viteve 1979 dhe 2021, përfshirë edhe një që kishte skaduar 50 vite më parë. Brenda tyre, ata zbuluan parazitë të ruajtur në mënyrë të përkryer, konkretisht larvat e anisakis, një lloj paraziti detar.

Sipas biologes, Chelsea Wood, pranisë së këtyre parazitëve nuk duhet t’i frikësohemi. Përkundrazi, ajo përbën një tregues të qartë se salmoni vinte nga një mjedis detar i shëndetshëm.

Anisakis kalon nëpër disa faza jetësore, duke përfshirë krilin, peshqit dhe në fund gjitarët detarë, si balenat. Rritja e tyre sinjalizon stabilitet dhe shëndet të zinxhirit ushqimor.

Studiuesit vunë re se numri i këtyre parazitëve ishte në rritje me kalimin e dekadave, një shenjë e mundshme e rigjenerimit të ekosistemit të Paqësorit të Veriut, megjithëse nuk përjashtohen ndikimet e ndryshimeve klimatike apo shtimit të popullatës së gjitarëve detarë.

Megjithatë, anisakis mund të jetë i dëmshëm për njerëzit nëse konsumohet në peshk të papërpunuar, duke shkaktuar helmime serioze. Kjo krijon një paradoks: si të mbrojmë veten nga rreziqet që përfaqësojnë këta parazitë, duke njohur njëkohësisht rolin e tyre të rëndësishëm në natyrë?

Zgjidhja, sipas ekspertëve, është përpunimi i duhur: gatimi në 60°C për të paktën një minutë ose ngrirja për pesë ditë.

Ndërkohë, peshku i konservuar mbetet një zgjedhje e sigurt falë procesit të sterilizimit.

Sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA), konservat mund të qëndrojnë të sigurta për konsum deri në pesë vjet, dhe ndonjëherë më shumë, nëse ruhen në kushte të përshtatshme. Cilësia mund të bjerë me kohën, por në shumë raste, siç tregon ky studim, përmbajtja mbetet jo vetëm e ngrënshme, por edhe shkencërisht e çmuar. Syri.net-iefimerida

Të Ngjashme