Lajme

Hapen pikat kufitare në Merdare dhe Bërnjak, Sveçla jep detaje të reja mbi bllokadat e ekstremistëve serbë të maskuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është marrë vendimi për hapjen e pikave kufitare Merdare dhe Bërnjak.

Sveçla bëri të ditur se ky vendim erdhi pasi u larguan bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar serbë.

“Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, shkroi ndër të tjera Sveçla, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak.

Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë.