Avokati Naim Cami ka reaguar ashpër pas konfirmimit të Lumir Abdixhikut në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e cilësuar këtë vendim si vazhdim të dobësimit të qëllimshëm të partisë.
“Me rizgjedhjen e këtij personi ‘amorf’ dhe servil, pa bosht kurrizor fare, në krye të LDK-së së rënë, fatkeqësisht për një kohë të gjatë u vazhdua dobësimi i mirëpërgatitur i LDK-së,” ka deklaruar Cami për Bota Sot.
Ai ka theksuar se sipas tij, qëllimi final i këtij procesi është i porositur nga armiqtë e Kosovës.

Naim Cami
“Qëllimi final i këtij dobësimi të porositur nga armiqtë e KS-së është tentativa për ta ‘shlyer’ kujtimin për Dr. Ibrahim Rugovën dhe njerëzit e tij më të afërt dhe më meritorë të lëvizjes për pavarësi dhe shtetformim të KS-së,” u shpreh avokati.
Por, Cami theksoi se, pavarësisht këtyre përpjekjeve, trashëgimia e Rugovës nuk do të zbehet kurrë.
“Pa kurrfarë ekuivoku jam i bindur se kujtimi dhe respekti për miqtë e mi të përjetshëm — Dr. Rugovën, akad. Fehmiun, Xhemajl Mustafën dhe të gjithë ata intelektualë që bashkëvepruan shumë ngushtë me Dr. Rugovën — asnjëherë e kurrë nuk do të shlyhet nga kujtesa dhe respekti i të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë anë e mbanë rruzullit tokësor.”, u shpreh ai.
Në fund, ai paralajmëroi edhe hapa të tjerë nga udhëheqja aktuale e LDK-së.
“Hapi tjetër i turpit i kësaj LDK-je, me udhëheqësi sorosiste dhe servile të klanit ‘Pronto’, do të jetë plotësimi i numrave për ‘zgjedhjen’ për kryetar të KS-së të një qenieje që, me foto-sesione nga Davosi dhe përulësi ndaj lakmisë për përfitime të pamerituara, nuk ka asgjë për të ofruar,” përfundoi Cami.
