Lajme

Haradinaj: Askush në Kosovë nuk e ka ndihmuar Serbinë më shumë se Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se askush në Kosovë, nuk e ka ndihmuar agjendën serbe më shumë se Albin Kurti.

Sipas Haradinaj, përderisa Serbia do të ipte miliarda për ta larguar Kosovën nga mbrojtja amerikane, Kurti e ka bërë falas me anë të politikës së tij anti-amerikane.

“As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej, kryetari i AAK-së, ka thënë se politika e kryeministrit të Kosovës, në Uashington po konsiderohet si politikë armiqësore, ndërsa Evropa po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit.

“Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese”, ka shtuar ai.

Ndërsa, për Haradinajn, presidentja Osmani, është presidente koti dhe pjesë e siç ka thënë ai ‘çdo ndyrësire të Kurtit’.

“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”, ka përfunduar postimin e tij.