Ramush Haradinaj, kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mosvazhdimin e projektit të Autostradës së Dukagjinit, duke e cilësuar atë si një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.
Në një postim në Facebook, Haradinaj rikujtoi se ideja dhe projektimi i autostradës janë iniciuar gjatë kohës kur ai drejtonte qeverinë, ndërsa me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, projekti është ndalur dhe nuk është trajtuar më si prioritet.
Ai theksoi se largimi i mbështetjes financiare dhe mungesa e veprimeve konkrete për disa vite kanë bërë që projekti të mbetet në vendnumëro, duke humbur kohë dhe mundësi zhvillimi për rajonin.
“Çdo projektim i përfunduar është bazë për investim, për ndërtim dhe për zhvillim konkret. Heqja e mbështetjes financiare nënkupton shtyrje të projektit, humbje kohe dhe humbje mundësish për qytetarët e Dukagjinit”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, Autostrada e Dukagjinit do të krijonte një korridor të rëndësishëm ekonomik, duke lidhur qytetet Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Prizrenin.
Haradinaj bëri thirrje që projekti të rifillojë dhe të trajtohet si prioritet strategjik për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të Dukagjinit.
