Lajme

Haradinaj kujton masakrat në Lybeniq dhe Gjakovë: Nuk do t’i harrojmë kurrë të rënët për liri

Haradinaj kujton masakrat në Lybeniq dhe Gjakovë: Nuk do t’i harrojmë kurrë të rënët për liri Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar ngjarjet tragjike të luftës në Lybeniq dhe zonat përreth, duke theksuar se këto masakra mbeten plagë e pashlyeshme në historinë e vendit.

Ai ka rikujtuar se Lybeniqi u masakrua më 25 maj 1998, ndërsa java e parë e prillit 1999 ishte kobshme për këtë fshat dhe zonën përreth, ku forcat serbe ekzekutuan mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur nga Lybeniqi, Buçani, Rashiqi, Loxha, Kosuriqi dhe Prilepi.

Haradinaj bëri të ditur se gjatë përkujtimit, së bashku me familjarët e viktimave, është zbuluar pllaka përkujtimore në shtëpinë e Ahmet Ukshinaj, të cilit i është ndarë dekorata “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” për angazhimin e tij në çështjen kombëtare.

Ai theksoi se në vitet ’90, kulla e Ukshinajt kishte qenë një nga bazat më të sigurta dhe më të rëndësishme të UÇK-së.

Në këtë përvjetor, Haradinaj kujtoi edhe martirizimin e dhjetëra qytetarëve në Gjakovë, përfshirë familjen e Januz Canës që u shua pa pasardhës, si dhe të rënët në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesë të tjera të qytetit.

“Askurrë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre u bënë mburojë e kësaj toke. Sot e për mot, përulemi me respekt para sakrificës së të rënëve për liri”, ka deklaruar Haradinaj.

Të Ngjashme